Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti për marrëveshjen e Ohrit: Duhet të zbatohet e tëra, nuk duhet copëtuar duke marrë pjesët e preferuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se më 4 prill në Bruksel, kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, do të diskutojnë për çështjen e zbatimit të marrëveshjes tashmë të dakorduar në Ohër.

Ai tha se marrëveshja tashmë është e qartë dhe duhet zbatim i saktë dhe i shpejtë.

“Më 4 prill në Bruksel ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar, pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj prandaj edhe do të organizohet takim mes kryenegociatorëve”- tha Kurti.

Kurti para gazetarëve dhe se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi dhe sipas tij nuk duhet copëtuar “duke marrë pjesët e preferuara”.

“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit, njësoj nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes. Prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara ndërkaq tek fjala juaj që e përdorni urgjencë është tek fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit”- theksoi kryeministri.

“Deklaratat politike të kujtdo qoftë janë për t’i shërbyer procesit, mirëpo tash kemi një marrëveshje nuk keni nevojë të vendosni asnjë deklaratë ose prononcim publik politik të askujt mbi tekstin e marrëveshjes bazë apo të aneksit të zbatimit. Po e ritheksoj fjala urgjencë është tek të pagjeturit”- shtoi ai.

Bashkimi Evropian dje konfirmoi se kryenegociatorët do të takohen javën e ardhshme në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian për të diskutuar për hapat drejt zbatimit të ankesit të marrëveshjes të dakorduar në Ohër.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano ka theksuar se në ditët në vijim, institucionet e BE-së do të nisin hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian (Udhëheqësit e të 27 Shteteve Anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”- tha Stano.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon javën tjetër, Bislimi e Petkoviq takohen në Bruksel