Zëdhënësi i BE-së refuzon të përgjigjet nëse Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve nëse Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit  pasi votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në mbledhjen e Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës.

Në konferencën e mbajtur sot, Stano është pyetur lidhur me këtë çështje nga tre gazetarë, të cilët kanë insistuar të marrin një përgjigje “Po” ose “Jo”, nëse ky veprim i Serbisë konsiderohet shkelje e Marrëveshjes.

Fillimisht njëri nga gazetarët e ka pyetur Stanon nëse votimi kundër i Serbisë është shkelje e nenit 4 të Planit franko-gjerman, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lidhur me ketë çështje për të dytën herë Stano është pyetur nga një tjetër gazetar, i cili ka kërkuar përgjigje “Po” ose “Jo”.

Pas tij, të njejtën pyetje e ka bërë edhe gazetarja Gjeraqina Tuhina, e cila po ashtu ka kërkuar një përgjigje “Po” ose “Jo”, nëse ky votim kundër i Serbisë konsiderohet shkelje e Marrëveshjes.

Pas kësaj pyetjeje, organizatori i konferencës ka ndërhyrë duke thënë se ajo pyetje u bë disa herë dhe Stano ka dhënë përgjigje.

“Më fal, e kemi pasur këtë pyetje dhe Stano është përgjigjur. Do ta mbyll këtë, derisa të keni një pyetje tjetër” – ka thënë ai.

Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Nga 46 vende, vetëm Armenia nuk mori pjesë në votim ndërsa 33 vende votuan pro, 7 votuan kundër, ndërsa abstenuan 5 vende.

Vendet që votuan kundër janë kryesisht vende që nuk e njohin as pavarësinë e Kosovës.

Azerbejxhani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Spanja votuan kundër.

Hungaria është ne mesin e vendeve të cilat votuan kundër anëtarësimit të Kosovës, ani pse pavarësinë e Kosovës e ka njohur që nga viti 2008.

Vendet që abstenuan në votimin për Kosovën ishin Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina.