Walker: Përballja me Millosheviqin në Hagë, krenaria ime më e madhe në karrierën 40-vjeçare

Përgjegjësia me të cilën ishte ngarkuar ish-shefi i Misionit Verifikues, William Walker në Kosovë, e detyroi atë që të përballej edhe me ish-presidentin e Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë negociatave që po zhvilloheshin në atë kohë lufte.

Ish-ambasadori i OSBE-së, Walker, në shtëpinë e gazetarëve “Reporting House” ku po ruhen dokumentimet e asaj çfarë bëri ushtria serbe në krye me Millosheviqin, tregoi se si presidenti serb e kishte të vështirë ta pranonte realitetin dhe se si nuk pajtohej me atë çfarë thoshte ambasadori amerikan.

“Nëse unë thosha se kam dëgjuar se popullsia e Kosovës është kryesisht shqiptare dhe një përqindje e vogël janë serb, ai thoshte: ‘Walker e ke gabim. Ju nuk e dini të vërtetën, me lejoni t’ju themë të vërtetën se në Kosovë ka më shumë serbë se sa shqiptarë’”- kujton ambasadori Walker.

“Millosheviqi e kishte zakon të bardhës t’i thoshte e zezë dhe anasjelltas dhe kërkonte që biseda të përfundonte aty”, rikujton Walker.

Nga përvoja me “Kasapin e Ballkanit”, ai thotë se “nëse do të përpiqeshit të sillnit prova se kjo nuk ishte e vërtetë, ai thjeshtë do ta përfundonte bisedën”.

Takimin tjetër me Millosheviqin, ambasadori Walker e pati në ambientet e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës. Por, kësaj radhe jo për të negociuar me të, por për të dëshmuar për të bëmat e tij gjatë luftës në Kosovë.

“Përsëri, ai e trajtoi gjykatën ashtu siç më kishte trajtuar mua duke thënë së dëshmia e Walker-it është e rreme, se të gjitha këto janë gënjeshtra dhe se unë do t’ju tregoj së çfarë ndodhi”- rrëfen ambasadori Walker.

Tutje, ai tregon se si duhej të ndërhynte trupi gjykues për t’ia kujtuar Millosheviqit, se duhet të përgjigjej vetëm në pyetjet që i parashtroheshin dhe jo të fliste për gjëra të tjera.

Krenarinë më të madhe në karrierën 40-vjecare të tij, ambasadori Walker e konsideron pikërisht përballjen me Millosheviqin në Tribunalin e Hagës, kur ky i fundit po gjykohej për krimet e luftës.

“E thashë shumëherë që ishte ndër momentet më krenare në karrierën time 40-vjeçare, pra kur u ula dhe u përballa me atë kriminel të luftës dhe i tregova botës çfarë mendoj për të”- është shprehur ambasadori amerikan.

Mirëpo, vdekja e Millosheviqit ia pamundësoi ambasadorit amerikan Walker ta shihte atë duke e përfunduar jetën si “plak i burgosur shumë gjatë”.

Më 11 mars 2006, në qelin e burgut e gjeti vdekjen ish-presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, i cili nuk arriti të dënohet nga Tribunali i Hagës për krimet e tij në Kosovë dhe vendet tjera të rajonit.

“Reporting House” është muze i rezistencës paqësore dhe të armatosur që është incuar nga BIRN (bashkëprodhues i Kallxo.com). Ky muze ka mbledhur mbi 30 orë arkiva nga periudha e të 90-tave për ta dokumentuar përvojën e civilëve në Kosovë dhe u hap me 10 qershor 2024 me rastin e 25 vjetorit të përfundimit të bombardimeve të NATO-së. Muzeu vazhdon të jetë i hapur çdo ditë nga e marta deri të shtunën nga ora 10:00-18:00 dhe hyrja është falas për vizitoret.

Në këtë muze shfaqen reportazhet nga masakra e Reçakut qe i kishte transmetuar BBC dhe NDR/Das Ertste, televizioni publik anglez dhe gjerman.