Vuçiq tregon se çfarë ka biseduar me Escobar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se me të dërguarin e Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë diskutuar për ‘çështjet e hapura në kuadër të dialogut’.

Vuçiq përmes një postimi në Instagram, ka thënë se ka insistuar në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Patëm një bisedë serioze për të gjitha ngjarjet aktuale dhe çështjet e hapura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe të së drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Vuçiq.

“Serbia, si një vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit”, ka theksuar ai.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dje ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas këtyre takimieve Esobar tha që SHBA-të pëkrahin rrugën euroatlantike të Kosovës.