Escobar: Janë edhe dy kushte të KE-së dhe disa vendeve Europiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar si pozitiv vendimin për tokat rreth Manastirit të Deçanit, por ka thënë se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka theksuar Escobar, në një intervistë për REL-in.

I pyetur nëse SHBA-ja do të lobojë për Kosovën për këtë anëtarësim, ai sërish e përmendi Asociacionin.

“Mendoj se jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet. Neve ende na duhet Asociacioni. Ai është kyç. Dhe, kur të flasim për zgjerim, do t’ju shpjegoj pse Asociacioni është kaq i rëndësishëm”, u shpreh Escobar për REL.

Më 13.03.2024 Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Kur e dha këtë lajm Kurti tha se kjo ishte mundësia e vetme për të bërë një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në Komitetin në fjalë, por pa sukses. U bindem që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjidhje të tretë”- tha Kurti.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë.

Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese vendimi i Gjykatës nuk ishte zbatuar.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, njëjtë siç vazhdojnë të bëjnë thirrje për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shënim: Artikulli është edituar në përmbajtjen e titullit për të sqaruar më tutje atrbuimin e insitucioneve që kanë vendosur kushte.