Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Qëllimi i Perëndimit është që Serbia ta njohë Kosovën

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se qëllimi i perëndimit është që Serbia ta njohë Kosovën.

Duke folur pas takimit që kishte dje me ‘pesëshën e madhe’ të perëndimit, Vuçiq tha se takimi nuk erdhi vetëm për shkak të ngjarjeve në Banjskë, me 24 shtator.

“Pesëshja e madhe nuk erdhi në Beograd vetëm për shkak të ngjarjeve në Banjskë me 24 shtator, të cilat taktikisht ishin të tmerrshme për ne dhe sollën ‘pasoja katastrofike’. Mos harroni, qëllimi i tyre në fund të fundit është njohja e Kosovës” – tha presidenti serb, raporton Kossev.

Vuçiq e përsëriti se Perëndimi dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme, sa i përket Kosovës.

“Ata kanë konkluzionet e tyre, për ta Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtë të marrë vendime që ne nuk mendojmë se ka të drejtë” – tha ai.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që mbajt më 15 shtator, e që në agjendë kishte zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në një konferencë për media pati deklaruar se ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.