Vrasja e Liridona Murselit, vjen reagimi nga Rrjeti i Grave

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas arrestimit të të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit. RRGK shpreh shqetësimin që edhe një rast i vrasjes së gruas, dyshohet të jetë femicid.

Pas lajmit për arrestimin e bashkëshortit të viktimës Liridona Murselit, e vrarë më 29 nëntor në fshatin Sinidoll, afër Prishtinës, RRGK kërkon që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.

Gjithashtu, RRGK kërkon nga institucionet që lënda të cilësohet si “Vrasje e rëndë” dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës. RRGK- ja fton Qendrën për Punë Sociale që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.

“RRGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit.  Gjithashtu, RRGK do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore”- thuhet në njoftimin e RRGK-së lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Murselit.

RRGK thotë se mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Ndërsa, thotë se do të ofrojë ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore.

Arrestohet Naim Murseli, dyshohet në rastin e vrasjes së gruas së tij