Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. FOTO: Bajram Begaj/Facebook.
Presidenti Begaj shpreh ngushëllime pas mbytjes së dy të rinjve nga Kosova në Shëngjin
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u ka shprehur ngushëllime familjeve të dy të rinjve nga Kosova që u mbytën në det, në Shëngjin, më 03.06.2026.
Begaj ka thënë se e ka kuptuar me hidhërim të thellë për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve.
“Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre. Kjo tragjedi na kujton rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet tona.” – është shprehur presidenti Begaj.
Begaj ka ftuar institucionet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në plazhe gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe vizitorëve.
KALLXO.com raportoi për këtë tragjedi që ndodhi në Shëngjin, e cila fillimisht u konfirmua nga Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shqipërisë.
Më pas, Policia e Lezhës ofroi detaje për këtë rast. Përmes një komunikate, Policia tregoi se ishin njoftuar rreth orës 16:30 policët kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Kështu, menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.” – njofton Policia shqiptare.
Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë e ka konfirmuar se dy prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa tre shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.” – kanë shtuar nga Policia.
Mbytja e dy të rinjve nga Kosova në Shëngjin, Policia e Lezhës jep detaje për rastin