Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku- Rexhepi

Voice of Roma, Ashkali and Egyptians: E papranueshme gjuha e deputetes Bunjaku, kërkojmë masa nga Kuvendi

Organizata joqeveritare, Voice of Roma, Ashkali and Egyptians e ka quajtur të papranueshme përdorimin e gjuhës raciste nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku në Kuvendin e Kosovës.

Bunjaku në seancën që është mbajtur dje i është drejtuar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi me fjalën “magjup”, fjalë kjo ofenduese.

Organizata Voice of Roma, Ashkali and Egyptians  është shprehur e shqetësuar nga përdorimi i një gjuhe të tillë nga deputetja Bunjaku e cila njëhërësh është anëtare e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

“Dënojm rëndë përdorimin e gjuhës raciste gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës të bërë nga deputetja Valentina Bunjaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndaj deputetit Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). “Mshele gojën magjup”, ka thënë mes tjerash Bunjaku në seancë. Deputetja e Kuvendit të Kosovës duhet të kërkoj falje publike për gjuhën denigruese kur iu referohet kolegut të saj. Bunjaku detyrohet të kërkoj falje jo vetëm ndaj deputetit, por të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkalinjë dhe egjiptian të cilët janë ofenduar nga përdorimi i termit ofendues”- thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Organizata joqeveritare, Voice of Roma, Ashkali and Egyptians ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj deputetës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku.