Vlora Çitaku - Foto: KALLXO.com

Vlora Çitaku: Nuk do të kandidoj për kryetare të PDK-së

Garës për t’i prirë Partisë Demokratike të Kosovës nuk do t’ia mësyjë Vlora Çitaku.

Këtë e ka konfirmuar vetë ajo duke thënë se nuk i frikësohet garës por që mungesa e saj për një kohë në struktura të partisë, ka bërë që në këtë kohë mos të kandidojë për kryetare të PDK-së.

Çitaku nuk e ka përjashtuar që në të ardhmen të kandidojë për shefe të Partisë Demokratike.

“Përgjigjja e shkurtë është jo. Nuk do të jem kandidate për kryetare të PDK-së dhe jo pse i frikësohem garës, e as pse entuziazmohem nga sondazhet, ndonëse është ndjenjë e mirë kur pëlqehesh nga publiku, por vendimet nuk i marr mbështetur nga ato premisa. E thashë në fillim që PDK-së nuk i duhet shpëtimtari, mesia, ky lloj koncepti i të menduarit politik duhet të çrrënjoset nga skena politike kosovare. Kosova nuk ka nevojë për gra të forta dhe burra të fortë, Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe partitë politike janë institucione”, tha ajo në Klan Kosova.

“Në këto shtatë vjet, PDK i ka mbajtur dy konventa, ka njerëz të ri, ka ndryshime me të cilat duhet të familjarizohem dhe po mendoj që tani nuk është momenti për mua, jo pse i frikësohem garës, por nuk do të doja që PDK-ja të përcaktohet për kandidatin/kandidaten si rezultat i presionit publik”, u shpreh ajo.

“Unë do të kyçem aktivisht në PDK dhe po e lë të hapur mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të garoj, por tani për tani kam nevojë të familjarizohem”, deklaroi Vlora Çitaku.

PDK pritet ta mbajë konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri më 3 korrik ndërsa sot ka dhënë dorëheqje u.d. kryetari, Enver Hoxhaj.

Enver Hoxhaj jep dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës të kryetarit të PDK-së

www.kallxo.com