Enver Hoxhaj, Foto: PDK

Enver Hoxhaj jep dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës të kryetarit të PDK-së

Enver Hoxhaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai përmes një konference për media tha se edhe kryesia e kësaj partie ka dhënë dorëheqje.

Sipas Hoxhajt, arsyeja është konventa e PDK-së e cila pritet të mbahet më 3 korrik ku pritet të zgjidhet kryetari i ri.

“Pritjet nga PDK-ja janë të mëdha, në rend të parë nga strukturat dhe qytetarët e Kosovës dhe si të tillë nuk guxojmë të heshtim e të mbyllemi. Përkundrazi duhet t’i prijmë ndryshimit, opozitbërjes aktive ndaj këtij pushteti që synon ta tjetërsojë çdo të arritur të shtetit vetëm e vetëm se është bërë në kohën e udhëheqjes së PDK-së, ta ndalim degradimin e mëtejmë; ta pengojmë izolimin e Kosovës e t’i mirëmbajmë raportet me miqtë tanë perëndimorë”, tha ai të enjten para gazetarve.

“Duhet ta nxjerrim më të mirën nga ne, t’i hapim dyert për të rinjtë profesionistë e me vlera kombëtare e profesionale; dhe të kujdesemi për më të vjetrit që ta japin kontributin e tyre aty ku munden dhe ku duhet. Shoqëria jonë në Kosovën e vitit 2021 ka ndryshuar; këtë ndryshim duhet ta përqafojë dhe reflektojë PDK-ja por pa harruar asnjëherë bazën e themeluesve të saj që buron tek lufta e UÇK-së për liri e pavarësi.”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur nëse do t’i hyjë garës për të parin e PDK-së, Hoxhaj ka thënë se tani nuk është temë që është diskutuar.

“Kush kur garon, përfshirë edhe kandidaturën time,  është temë e ditëve të ardhshme”, ka thënë ai.