Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vizioni i Shpejtim Bulliqit për planin urban të Podujevës 

Kandidati për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi në #DebatPernime ka shpalosur programin e tij për planin urban të Podujevës.

Bulliqi ka thënë se janë në diskutime për përmbylljen e hartës zonale.

“Jemi në diskutim publik të përmbylljes së hartës zonale, kjo i parasheh edhe çështjen e ndërtimit dhe hapësirave gjelbëruese. Besoj shumë që brenda këtij muaji do të përmbyllet çështja e diskutimit publik, do t’i marrim vërejtjet nga qytetarët dhe do të fillojë procesi i implementimit për t’u përgatitur për të shkuar në Asamble dhe për t’u votuar”, tha ai.

Bulliqi shtoi se Podujeva njihet si vend me pak ndërtime të larta. Kandidati ka shtuar janë të shqetësuar me ndërtimet në Batllavë.

“Jemi të shqetësuar për atë që ka ndodhë. Atje më herët ka filluar një proces i madh i ndërtimit të egër të vilave të ndryshme dhe kemi një degradim goxha në shkallë të lartë të atij mjedisi”, tha ai duke shtuar se ajo zonë do të futet në proces të hartës zonale.

Kandidati i LVV ka theksuar se harta zonale do t’i sanksionojë zonat që ka pasur ndërtime.

Në emisionin #DebatPernime po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në komunën e Podujevës.

Në debat pjesëmarrës është vetëm kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Ekrem Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por i njëjti nuk ka pranuar të jetë në debat.

Ai ka dërguar një letër duke thënë se nuk merr pjesë ne debat “për shkak të fushatës së ulët dhe të pamoralshme të kundërkandatit në fushatë, derisa ai të kërkojë falje”.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Podujevë, kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni i ka marrë 44.20 për qind të votave, kurse kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi i ka marrë 44.16 për qind.

Debati po transmetohet nga orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.