VITI - 24.03.2020

Vitia po i mban nën kontroll rreth 100 persona që patën kontakte me të prekurit me COVID-19

Komuna e Vitisë është komuna e parë në Kosovë e prekur nga coronavirusi ndërsa deri më tani në këtë komunë janë të infektuar 49 persona, 8 prej tyre janë të hospitalizuar, ndërsa tre të tjerë janë shëruar.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare në këtë komunë, Vjollca Kadolli – Halili për KALLXO.com konfirmoi se  historiku i personave kontaktues me të infektuarit është rreth 100.

“49 janë me CoVID, ndërsa 100 personat e tjerë janë raste kontakti nuk janë testuar por janë në mbikëqyrje sepse janë familjarë të të infektuarve”, potencoi ajo.

Sipas, drejtoreshës disa nga të infektuarit janë raste kontakti në Ferizaj, si dhe në rastin e parë në Stubëll, ndërsa infeksioni i personit mbrëmë ende nuk dihet nga ka ardhur.

“Të gjitha janë raste kontakti, vetëm rasti i fundit nga Stublla i cili ka dal mbrëmë ende nuk dihet nga ka ardhur infeksioni. Disa prej tyre janë raste kontakti nga Ferizaj, nga fshati Sazli, ndërsa rasti i parë që ka qenë është rasti Stubëll”,  tregoi ajo.

Kadolli tha se gjendja e të gjithëve është stabile në përjashtim të një të moshuar, të cilën po e mbajnë nën kontrollë.

“Nuk kanë simptoma fatmirësisht asnjë, në përjashtim të një të moshuar, asnjë tjetër nuk ka simptome”, u shpreh drejtoresha.

“Përderisa nuk kanë simptoma po i mbajmë në vetizolim dhe jemi në kontaktë me ta”, potencoi ajo.

“Kemi diskutu edhe me Institutin Rajonal të Shëndetit Publik që përderi sa nuk kanë siptome me i mbajtë në vetizolim dhe në kontakt me neve në QKMF, unë po bisedoj cdo ditë me ta dhe në momentin që paraqitet ndonjë shenjë më lajmrojnë, fatmirësisht nuk kanë asnjë simptomë”, tha Kadolli – Halili.

Ndërsa sa i përket mostrave, drejtoresha u shpreh se sot në komunën e Vitisë nuk është marrë asnjë mostër.

“Sa më ka lajmëru Gjilani nuk ka mostra nga Vitia”, tha Drejtorja Kadolli- Halili.

“Sa më ka lajmëru Gjilani, nuk ka mostra nga Vitia”, thekësoi tutje.

630 persona janë të infektuar me coronavirus në Kosovë, prej tyre 138 të shëruar dhe 19 të vdekur.