(VIDEO) Tollovi e parregullsi në qendrën e vaksinimit në Prizren

Në qendrën e vaksinimi në Komunën e Prizrenit sot gjatë ditës është krijuar tollovi dhe qytetarët janë detyruar të presin për kohë të gjatë në diell, përkundër që kanë pasur terminë të rezervuara.

Në videon e siguruar nga KALLXO.com dëgjohen qytetarët e frustruar duke kërkuar që të respektohet orari i termineve pasi, siç thotë njëri nga ta, “nuk ka mundësi të vijë prapë”.

“Respektoma terminin zonjë. Nëse unë dal nuk muj me ardh mo. Qysh muj me i dëshmu dikujna që kam ardh këtu. Pse po maltretohem?. Pse nuk po respeketohet kuktura e terminit?. Unë do të sëmurëm këtu, a po e sheh që jam bërë ujë (jam djersitë)”, dëgjohet duke thënë qytetari.

KALLXO.com për këtë rast ka telefonuar koordinatorin e qendrës së vaksinimit në Prizren, Xhengiz Sojari, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave.

Mirëpo, burime të KALLXO.com thonë se në këtë qendër gjatë ditës ka pas probleme me energji elektrike dhe për pasojë është shkaktuar tollovi dhe qytetarët janë detyruar të presin më tepër se ditëve të tjera.

Situatë e ngjashme sot gjatë ditës ka qenë edhe në komunën e Gjakovës.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se brenda 24 orëve në Kosovë janë vaksinuar 19 mijë e 248 qytetarë në nivel vendi, përderisa nga fillimi i vaksinimi e deri më tani janë 559 mijë e 7 qytetarë të vaksinuar me vetëm një dozë.

Të vaksinuar komplet apo me dy doza të vaksinës janë 192 mijë e 503 qytetarë.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “AstraZeneca” dhe “Pfizer”.
Aktualisht në nivel vendi janë 5 mijë e 493 raste aktive me COVID-19.