VIDEO: Punëtorët e Ministrisë së Kulturës kundërshtojnë largimin nga objekti

Ky objekt brenda disa ditësh nuk do të jetë më vend i punës për zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Këtu pritet të zhvendoset Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Dhjetëra punëtorë të Ministrisë së Kulturës u mblodhën sot për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për zhvendosjen e tyre.

Punëtorët thanë se nuk ishin njoftuar me kohë për këtë zhvendosje ndërsa objekti i ri për ta, sipas tyre, nuk i plotëson kushtet për punë.

Labinot Berisha, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të MKRS-së ka thënë se me këtë vendim janë shkelur të drejtat e punëtorëve.

“Ne sot e kemi organizu këtë protestë me shpresën që institucionet vendimmarrëse do ta marrin seriozisht, edhe për shkak imazhit të ministrisë dhe qeverisë, por nëse nuk përfillet vullneti i këtyre zyrtarëve ne do t’i shohim edhe mjete tjera, gjithmonë demokratike që i parasheh ligji për protesta”,  ka thënë Berisha.

Punëtorëve të Ministrisë u ka dalë në krah edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Alush Sejdiu, përfaqësues i BSPK-së ka shpjeguar arsyet pse duhet kundërshtuar vendimi për zhvendosje.

“Ne konsiderojmë se është  shpenzim i dyfishtë i buxhetit sepse koha e renovimit të këtij objekti do të zgjasë dhe se paralelisht do të ketë dy objekte për Presidentin”, ka pohuar Sejdiu.

Ndërsa, Bislim Bislimi, zyrtar ligjor në Ministrinë e kulturës ka thënë se në bazë të informatave ,për renovimin e ndërtesës për nevoja të Zyrës së Presidencës do të shpenzohen diku 15 milionë euro.

“Është një shumë jashtëzakonisht e lartë dhe një luks që nuk duhet pranohet nga askush. E kemi vërejtur se ka mungesë reagimi dhe kemi dashur të sensibilizojmë opinionin, së pari ky objekt nuk i plotëson kushte për objekt të Presidencës, si në aspektin protokollar dhe ai i sigurisë”, ka thënë Bislimi.

Ministria e Kulturës pritet që në ditët e ardhshme të transferohet nga objekti aktual në një objekt  të ish- ndërmarrjes “Ramiz Sadikut” në Prishtinë, në pronësi private.

Kostoja mujore që qeveria duhet të paguajë për shtëpinë e re të MKRS-së është 41 mijë euro në muaj.