FOTO KALLXO

VIDEO - Jepen detaje të reja për aksionin e sotëm në veri, u bastisën disa lokacione

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në 8 lokacione të ndryshme lidhur me sulmin terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka treguar se katër bastisje janë kryer në Mitrovicën e Veriut e katër të tjera në Zveçan, njëra prej të cilave ka qenë në Bansjkë.

Elshani u pyet nëse njëra prej banesave të bastisura është e njërit prej të arrestuarve në rastin e Banjskës, mirëpo ai tha se nuk mund të flasë për emra të përveçshëm.

“Nuk mund të them emra të përveçëm, por të gjitha këto bastisje kanë të bëjnë me persona të dyshimtë në rastin e Banjskës dhe në mundësinë e gjetjes së provave të mundshme” – u përgjigj Veton Elshani.

Ai nuk dha detaje as për atë që është konfiskuar gjatë këtyre bastisjeve, duke thënë se meqë janë vetëm në asistencë të njësitit kundër terrorizmit në Prishtinë, nuk i ka këto informacione.

Gjatë këtyre bastisjeve, Elshani tha se nuk ka pasur incidente, por konfirmoi se në rastet kur dyert kanë qenë të mbyllura dhe nuk kanë gjetur as çelës e as pronar, ndonëse kanë kërkuar, atëherë kanë përdorur forcën për të hyrë brenda.

I pyetur për mosarrestimin e ndonjë të dyshuari edhe pas dhjetëra bastisjeve, Veton Elshani tha se kjo nuk përbën ndonjë çudi.

“Duke marrë parasysh rastin e Banjskës, nuk është çudi që ne të bëjmë bastisje dhe të mos kemi të arrestuar sepse provat lidhen me personin e dyshimtë, nuk është diçka e jashtëzakonshme” – u përgjigj Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.

Ky hetim, sipas tij është delikat dhe i thellë dhe siç tha Elshani, me siguri që operacione të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen.

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, e më pas ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.