Imri Ahmeti - Foto: KALLXO.com

VIDEO - Imri Ahmeti rrëfen storjen se si u ftua të shkonte te Xhelal Sveçla, por ai nuk i doli në takim

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka rrëfyer një rast, ku pretendon se ishte ftuar në takim në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të nënshkruar një memorandum mes ministrisë dhe Komunës, bashkë më ministrin Xhelal Sveçla, por ai nuk ishte dalë fare në takim.

“Na kanë ftuar në telefon, kemi shkuar, është përgatitur terreni, dhe kur kemi shkuar i kanë rënë pishman. Jam ndje keq, më ka pritë një këshilltar aty, kemi nejtë pesë minuta edhe jemi kthy, s’u bo nami por e vërteta është që nuk jemi ndihmu me zgjidh problemin”- tha Ahmeti.

Sipas tij, është fjala për një projekt të gjendjes civile i cili është pa leje ndërtimore në pronën e Komunës.

“Ne kemi lënë alternativë që të na lirojë atë hapësirë për të ndërtuar parkingun nëntokësorë sepse ka mbetur si kërpudhë dhe i kemi dhënë alternativa edhe objekte të tjera që janë më të përshtatshme. Dikush ka intervenuar- mos gaboni të nënshkruani se si ta përfundon mirë parkingun, fiton”- tha mes tjerash Imri Ahmeti.

Në Komunën e Lipjanit sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kryetari i tanishëm, Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka fituar pa balotazh.

Kjo është hera e katërt që ai fiton postin e të parit të Lipjanit.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Imri Ahmeti ka fituar 51.15% të votave, ndërsa kundërkandidati i tij, Shukri Buja nga PDK ka marrë 30.5%, ndërsa Ilir Qeriqi nga LVV ka dalë me 16.33%.