Vetura me armatim kishte disa ditë që qëndronte në atë lokacion në Zveçan

Detaje të reja janë bërë publike gjatë një konferencë për media në lidhje me veturën e mbushur me armatim të ndryshëm ushtarak në afërsi të komunës së Zveçanit.

Aksioni i policisë i realizuar mbrëmë rreth orës 20 e që përfundoi deri pas mesnate rezultoi me dhjetëra armë ushtarake e pajisje mbrojtëse të sekuestruara.

Drejtori i Policisë Gazmend Hoxha në konferencë tha se nuk mund të shpalosë detaje të shumta sepse ende është duke u hetuar rasti por që përmendi faktin se vetura kishte disa ditë që qëndronte aty.

“Mund të themi që ka disa ditë që ka qëndru në atë lokacion ndërsa hetuesit janë duke marrë edhe pamje të tjera për të vërtetuar kohën dhe momentin kur vetura është lënë në këtë pistë. Tani për tani është duke u hetuar dhe na duhet që ta mbajmë konfidencial”- tha Hoxha.

Dhjetëra pajisje ushtarake, automatike, lloje të armëve e municionit, uniforma e shenja janë gjetur brenda një veturë e cila ishte parkuar vetëm 100 metra larg Komunës së Zveçanit gjatë ditës së djeshme, kur edhe u identifikua nga Policia e Kosovës.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë të jashtëzakonshme që u mbajt në kampin e njësive speciale “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut, tregoi për armatimin e mjetet e tjera që u gjetën në veturë,

“9 zolla, 2 lansues, 2 ossa, 1 predhë e minahedhësit, 21 granata dora, 20 predha të trombolinit, 2 mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike,një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikator i armëve të gjata, 5 karikatorë për armë të shkurta, 5756 fishekë të kalibreve të ndryshme, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelek antiplumb dhe jelekë taktik, 9 uniforma ushtarake, 1 palë dylbi, një maskë për helm e gaz, një dyshek ushtarak, 19 emblema të “Brigadës së Veriut”, 3 radiolidhje dhe mbushës, një sasi e narkotikëve”- tregoi në detaje Drejtori Hoxha.

Hoxha tutje tregoi edhe për vazhdimin e aksionit.

“Pas disa informacioneve se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zvecan me qëllim që të njëjtat të përdoren për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe forcave policore që operojnë në veri të vendit duke përffshi edhe KFOR-in”- shtoi ai.

Tutje Hoxha tha edhe se kontrolla e veturës nisi mbrëmë rreth orës 20 dhe përfundoi deri pas mesnate.

“Menjëherë janë marrë masat e sigurisë për sigurinë e qytetarëve në atë zonë, sespe kjo sasi e armëve paraqet një rrezik të madh.  Vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion, duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për banorët që kanë frekuentuar atë zonë”- tha ai.

Ai tha detaje edhe nga hetimi preliminar i ekzaminimit të armatimit.

“Pjesa dërmuese e armatimit është prodhims serb. Nga totali i granatave 15 prej tyre janë të prodhura në vitin 2021 dhe nga ekzaminimi preiliminar ekziston dyshimi I bazuar se lloji I njëjtë I granatave është përdorur në sulmin ndaj KFOR-it me datë 29 maj në protestën e dhunshme në Zveçan”- shtoi drejtori.

“Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetue dhe emblem të organizatës “Brigada e Veriut” , që nga viti 2022 në katër komunat Leposaviq, Zvecan, Mitrovicë Veriore dhe Zubin Potok janë shfaqur grafite kërkcënuese të organizatës ilegale “Brigada e Veriut””- shtoi tutje ai.

Për këto policia tashmë po heton ende se kush qëndron mbrapa këtyre mbishkrimeve dhe grupit.

Llogo apo shenja të organizatave të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë gjatë ditës së djeshme në veturën e cila është zbuluar e në të cilën janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

Për këto dy organizata që funksionojnë në veri Kosovës, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, tha se do të kërkoj që të shpallen terroriste.

“Ditëve në vijim do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste dhe lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase”- tha Sveçla gjatë konferencës e cila po mbahet në Kampin “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut.

Ai shtoi edhe se “Që nga paslufta Kosova ka vijuar që të përballet me agresionin e Beogradit zyrtar. Posaqërisht kohët e fundit dora e zgjatur e tyre ka intensifikuar sulmet terroriste, ndaj Policisë së Kosovës, veturave të tyre, stacioneve të tyre, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve e edhe qytetarëve të vendit”.

Në orën e mbrëmjes policia kishte arritur që të identifikonte makinën me targa të Beogradit rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit.

“Ka shenja me simbole të formacionit ilegal kriminal e terrorist “Brigada e Veriut”, shenja dalluese të njësiteve ruse, radioloidhje të njëjta me ato që janë konfiskuar në zyrën e Aleksandar Filipoviq në Komunën e Leposaviqit”- tha Sveçla.

Madje ai përmendi edhe faktin se një lloj I radiolidhjes që u gjet në veturën e sekuestruar, ishte e ngjashme me ato që ishin gjetur në zyrat e ish- shefit të Operativës në Policinë në veri, Aleksandar Filipoviqit, në Leposaviq.

“E gjithë kjo është një dëshmie radhës që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon destabilizimin e vendit tonë.  Ky rast konfirmon informacionet e pranuara se gjatë javëve të fundit nga territori i  Serbisë janë futu vetura dhe armatime të tjera ushtarake”- tha Sveçla.