Organizata "Fourth Wave" kërkon nga KF Dukagjini ta suspendojë lojtarin e kërkuar nga INTERPOL-i

Organizata “Fourth Wave” ka mbajtur sot një protestë në Klinë, duke kërkuar nga klubi i futbollit Dukagjini ta suspendojë futbollistin Theophilus Solomon.

Me aksionin “‘Të akuzuarit për dhunë s’duhet të kenë vend në klubet futbollistike, suspendojeni Solomonin”, protestuesit kanë kërkuar suspendimin e lojtarit.

Aksioni u ndërmor pas arrestimit të futbollistit Solomon nga Policia e Kosovës, i cili kërkohet nga INTERPOL për veprën penale – dhunim, që dyshohet se e ka kryer ndaj të dashurës së tij.

Lojtari u arrestua nga Policia e Kosovës edhe për mosrespektim të masës për t’u lajmëruar çdo tre muaj në Polici.

“Pavarësisht situatës, ajo që na duket vërtet e tmerrshme është mbështetja e palëkundur e shprehur nga presidenti i klubit të futbollit, i cili me guxim deklaroi: ‘Do të qëndrojmë pranë tij deri në fund’ ”- thuhet në njoftimin e “Fourth Wave” në Facebook.

“Fourth Wave” thotë se kjo deklaratë nuk është vetëm një akt solidariteti, por një përforcim i një mendësie që i jep përparësi reputacionit të një individi mbi sigurinë dhe mirëqenien e të tjerëve.

“Duke qëndruar pranë Solomonit, kryetari i klubit të futbollit dërgon një mesazh të rrezikshëm, se veprat penale si dhunimi mund të justifikohen dhe madje të miratohen për sa kohë që kryesi i veprës ka një status të caktuar. Protesta jonë e sotme nuk ishte thjesht akt revolte, por thirrje për veprim. I bëjmë thirrje klubit të futbollit “Dukagjini” që të tërheqin deklaratën e tyre dhe ta përjashtojnë Solomonin”-thuhet në njoftim.

“Fourth Wave”  thotë se nuk do të mbyllë sytë përballë një sistemi që mbron, siç thuhet në njoftim, abuzuesit në kurriz të viktimave dhe do të vazhdojmë të flasim kundër padrejtësisë e t’i mbajmë përgjegjës autorët.

Vikendin e kaluar, futbollisit i KF “Dukagjini”, Solomon, ishte shoqëruar në Policinë e Kosovës për procedurë të mëtejme.