Aksion protestues në Vushtrri, kërkohet transport i sigurtë për vajzat dhe gratë - Pamje

Organizata joqeveritare “Fourth Wave” nga Mitrovica, përmes një aksioni simbolik në Vushtrri ka bërë thirrje për transport të sigurtë për vajzat dhe gratë, në prag të 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

“Përshëndetje! A bon një taksi pa ngacmues/ sulmues seksualë?” – është shkruar në një çarçaf që organizatoret kanë shpalosur në muret e kalasë së qytetit.

“Sot si ‘Fourth Wave’ dolëm në rrugët e Vushtrrisë në prag të 8 Marsit për të tërhequr vëmendjen për një çështje e cila është tentuar të kalohet në heshtje: ngacmimet dhe sulmet seksuale të kryera nga shoferët e taksive ndaj vajzave dhe grave. Ne shpalosëm një çarçaf nga kalaja e Vushtrrisë me një mesazh të fuqishëm për t’i dhënë jehonë kësaj çështje…”- thuhet në njoftimin e organizatës në Facebook më 07.03.2024.

Sipas tyre, ky veprim nuk ishte thjesht një aksion simbolik, por ishte një thirrje për veprim.

“Ne refuzojmë të pranojmë një realitet ku vajzat dhe gratë kanë frikë të marrin një taksi, një mënyrë transporti që duhet të jetë e sigurt dhe e besueshme. Ne kërkojmë llogari nga kompanitë e taksive dhe institucionet e sigurisë për të siguruar që shoferët të mbahen përgjegjës për krime të tilla”- theksoi organizata.

“Fourth Ëave” thotë se ka ardhë koha që kudo, kurdo, çdo grua dhe vajzë të mund të lëviz lirshëm pa frikë nga ngacmimet apo sulmet seksuale.

“Aksioni ynë protestues ishte një qëndrim revoltues kundër normalizimit të çdo lloj dhune seksuale në shoqërinë tonë. Ne qëndrojmë në solidaritet me të mbijetuarat, duke u bërë të ditur se nuk janë vetëm dhe se zërat e tyre kanë rëndësi”- thuhet tutje.

Organizata “4thWave” tenton përmes platformave teknologjike ta denoncojë dhunën ndaj grupeve të margjinalizuara.