Vetëm tri ankesa për shkelje të privatësisë në ditën e zgjedhjeve

Thirrja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) ndaj partive politike, para së të nis fushata zgjedhore për respektimin e ligjit për privatësi, duket se është përfillur nga subjektet politike që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Komisionerja e AIP-së Krenare Sogojeva-Dermaku, në “Kallxo Përnime”, më 15.03.2025, ka treguar së para së të fillojë fushata zgjedhore, kanë mbajtur takime të ndara më partitë politike, pikërisht që të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj kohën në ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.

Nga bashkëpunimi “i jashtëzakonshëm” siç e quan vetë Sogojeva-Dermaku, ka rezultuar që numri i ankesave për shkelje të privatësisë të jetë i vogël gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.

“Kemi pasur dy sinjalizime që kanë qenë ndaj një kandidati të një partie, në momentin që e kemi kontaku vetëm me telefon se kandidati në fjalë është duke dërguar SMS pa pëlqimin e qytetarëve është ndalu ajo praktikë, ndërsa në ditën e zgjedhjeve kemi marrë tri ankesa”- ka treguar Sogojeva-Dermaku.

Ndërsa, situata qëndron shumë më mirë në dërgimin e SMS, sipas Sogojeva-Dermakut, pasi kjo praktikë në vitet e kaluara ka qenë shumë më e shprehur, gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve.

Dhe dërgimi i mesazheve apo thirrja në numrin privat të qytetarëve pa pëlqimin e tyre, përbën shkelje të privatësisë, sipas Sogojeva-Dermaku.

Ndërkaq ankesat që i janë drejtuar AIP-së nga qytetarët, kanë qenë për mesazhet që i kanë pranuar  duke bërë thirrje që të dalin dhe të votojnë.