Konferenca e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, 09.12.2025

Lansohet sistemi i ri për menaxhimin e rasteve në AIP

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka lansuar Sistemin e Menaxhimit të Rasteve, një platformë që synon zvogëlimin e barrës administrative në procesin e qasjes në dokumente publike.

Ky sistem pritet të rrisë transparencën dhe llogaridhënien institucionale duke ofruar trajtim më efikas karshi kërkesave dhe ankesave për qasje në dokumente publike, si dhe disiplinimin institucional në respektimin e afateve dhe procedurave ligjore.

Kjo u mundësua përmes një bashkëpunimi institucional ndërmjet Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Zyrës për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit dhe partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane të Bashkëpunimit Ekonomik, përmes projektit të zbatuar përmes GIZ-it.

Kështu u tha në konferencën e mbajtur më 09.12.2025.

I pranishëm në këtë lansim ishte David Oberhuber, Drejtor i GIZ-it në Kosovë i cili tha se këtu në Kosovë po punohet në një shtet funksional i cili po jep edhe rezultate.

“I fundit është mesazhi nga ambasada, nga BE, dhe qeveria gjermane, çfarë shohim këtu në Kosovë është që po punojmë në një shtet funksional që po jep rezultate. Ne shohim që institucionet dhe njerëzit e përfshirë në këtë shtet duan të arrijnë në një fazë demokracie që vërtet i sjell dobi popullit dhe ky është mesazhi edhe për njerëzit tanë në Bashkimin Evropian që Kosova është drejt asaj rruge sepse zakonisht ne i diskutojmë problemet e shteteve tona partnere.”- u shpreh Oberhuber.

Ndërsa Krenare Sogojeva- Dërmaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi tha se kjo platformë përveç se do ta lehtësojë punën, do të jetë e mbështetur në tri baza që do ta mundësojnë funksionimin e tij.

“Kjo platformë, përveçse do të jetë një mekanizëm që do të na lehtësojë punën tonë, ka tre baza të rëndësishme. E para është transparenca, parimi themelor i besimit të qytetarëve në institucione. Me këtë formë, ne punën tonë do ta kemi para publikut dhe përmes kësaj do ta rrisim edhe përgjegjësinë tonë për ta bërë punën më mirë se jemi duke e bërë, por në anën tjetër edhe për të dhënë llogari ndaj qytetarit për të cilin e kemi obligim. Ulja e barrës administrative është, si me thënë, shtylla tjetër që ky projekt do të na mundësojë. E mbi të gjitha, qëllimi i krijimit të këtij projekti, qëllimi i implementimit të këtij projekti është ofrimi i shërbimeve më të lehta fillestare.”- tha Sogojeva- Dërmaku

Tutje, Vanessa Sabelski, Menaxhere e Projektit të GIZ-it vlerësoi se kjo platformë do të hap një kapitull të ri në trajtimin e kërkesave dhe ankesave.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne që kemi punuar në këtë proces, jo vetëm sepse po lansohet një sistem i ri, por sepse po hapet një kapitull i ri për mënyrën se si administrata publike i trajton kërkesat për qasje në dokumente publike, ankesat lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe, mbi të gjitha, respektimin e të drejtave të qytetarëve. Prandaj është kënaqësi e veçantë që e kishim mundësinë ta përkrahim këtë projekt në kuadër të procesit të reduktimit të barrës administrative, të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.”- theksoi Sabelski.

Ndërkaq, Kushtrim Canolli, Zyrtar i Lartë i Planifikimit të Politikave në Zyrën e Kryeministrit tha se qysh atëherë prioritet i qeverisë ka qenë transparenca e llogaridhënia.

“Unë jam i fundi në listë sepse më së paku kemi kontribuar në sistem në aspektin operativ, por kemi nisur bashkë me Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për shkak se edhe atëherë ka qenë ndër prioritetet e qeverisë transparenca dhe llogaridhënia, por dhe është ndërlidhur direkt me obligimet ndërkombëtare që i kemi marrë në kuptim të SIGMA-s e të tjera.”- tha Canolli.