Agjencia për Informim dhe Privatësi - Foto: Facebook/ Agjencia për Informim dhe Privatësi
AIP gjobit me 20 mijë euro “Sinjalin” për shkelje të privatësisë në një rast të dhunës në familje
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjobitur me 20 mijë euro median online “Sinjali” pasi kishte publikuar të dhëna personale të personave për një rast të dhunës në familje pa e justifikuar interesin publik.
Sipas AIP-së, “Sinjali” ka publikuar emrin dhe mbiemrin e palëve në një rast të dhunës në familje, informacione të cilat nuk e plotësojnë kriterin për interes publik.
AIP tutje ka shtuar se publikimi i emrit dhe mbiemrit të viktimës dhe familjarëve, duke i bërë të identifikueshëm, ka cenuar të drejtën e tyre për privatësi, duke e vënë theksin se personat e përmendur kanë qenë qytetarë të zakonshëm.
“Megjithatë, publikimi i emrit dhe mbiemrit të viktimës (ankuesit) familjarëve të tij, duke i bërë ata të identifikueshëm, ka cenuar dinjitetin dhe të drejtën e tyre për privatësi, veçanërisht nëse ata janë qytetarë të zakonshëm dhe konteksti i publikimit mund të ketë pasoja negative për jetën e tyre private, familjare dhe sociale, pa qenë proporcional me qëllimin e informimit publik. Identifikimi i individëve në një kontekst kaq sensitiv, si dhuna në familje, nuk është i nevojshëm për të përmbushur qëllimin në kuptimin e ndërgjegjësimit shoqëror dhe promovimit të diskutimit publik mbi këtë problematikë”- thotë vendimi i AIP-së i marrë më 29.09.2025.
Pala e kishte raportuar rastin në AIP më datë 06.06.2025 duke pretenduar se media online “Sinjali” në artikullin që e ka publikuar ka ekspozuar emrin, mbiemrin, moshën, vendin e prindit (babasë) dhe vëllait të tij. AIP në vendim thotë se i janë drejtuar dy herë medias online “Sinjal” për përgjigje por të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës së institucionit për të arsyetuar publikimin e të dhënave personale.
Kështu, AIP përpos gjobës që i ka shqiptuar gazetës “Sinjali” e ka urdhëruar që të anonimizojë të dhënat që janë ekspozuar, konkretisht emrat dhe mbiemrat.
Media online “Sinjali” është obliguar që të paguajë shumën prej 20 mijë euro në afat prej 30 ditësh, në të kundërtën pagesa do të ekzekutohet me anë të përmbaruesit privat.
Sipas vendimit të AIP-së, artikulli që ishte publikuar në gazetën “Sinjali” mban datën 25.05.2025.
AIP tutje në vendim ka thënë se identifikimi i individëve në një kontekst kaq sensitiv, si dhuna në familje, nuk është i nevojshëm për të përmbushur qëllimin në kuptimin e ndërgjegjes shoqërore dhe promovimit të diskutimit publik mbi këtë problematikë.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka thënë se gjatë publikimit të të dhënave personale është me rëndësi që të respektohet parimi i minimizimit të të dhënave personale që është një nga parimet e mbrojtjes së të dhënave.
Tutje, AIP ka thënë se lajmi do të mund të publikohej edhe pa i përfshirë të dhënat personale, si emrin dhe mbiemrin, që identifikohet drejtpërdrejtë subjekti, pasi do të shmangte dëmin e panevojshëm ndaj individëve, pasi natyra e informacionit që është ofruar përmes publikimit të këtij artikulli ka pasë të bëj me një incident brenda familjes, ngjarje e cilësuar nga AIP që prek drejtpërdrejtë jetën private dhe familjare.
“Publiku ka interes të njoftohet për fenomenin e dhunës në familje, por jo edhe për identitetin e individëve konkret, përveç nëse ata janë figura publike. Publikimi i emrave në këtë rast nuk shton vlerën e informimit të publikut. Kontrolluesi do të kishte mundur të raportonte ngjarjen duke ruajtur identitetin e personave dhe në artikullin e publikuar të mos përdorte emrat e personave të përfshirë në ngjarje, përfshirë edhe viktimën” – thotë tutje vendimi i AIP-së.
AIP ka marrë për bazë rrethanat që janë përllogaritur në lartësinë e dënimit, duke përfshirë edhe natyrën dhe rëndësinë e shkeljes si dhe kategorinë e të dhënave personale. AIP thotë se gazeta “Sinjali” është njoftuar paraprakisht për paligjshmërinë e veprimeve të kryera, ndërsa masa të ngjashme korrigjuese janë urdhëruar edhe më herët për të njëjtën çështje.
“Kontrolluesi [gazeta “Sinjali”] është njoftuar paraprakisht për paligjshmërinë e veprimeve të kryera, ndërsa masa të ngjashme korrigjuese janë urdhëruar më herët për të njëjtën çështje, çka dëshmon mospërfillje të vazhdueshme të detyrimeve ligjore”- thotë në fund të vendimit Agjencia për informim dhe Privatësi.
KALLXO.com më 02.10.2025 ka dërguar pyetje përmes emailit te gazeta “Sinjali” në lidhje me vendimin e AIP-së, por deri në publikimin e këtij artikulli të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Vendimin e plotë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në lidhje me rastin e gazetës “Sinjali” mund ta gjeni në këtë LINK.