Vala e parë do sjellë rreth 250 afganë në Kosovë, strehimi mund t’u bëhet në Qendrën e Studentëve

Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë nikoqire të qindra-mijëra afganëve pasi në vendin e Lindjes së Mesme grupi i talibanëve pushtoi Afganistanin.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, disa vende të botës kanë nis pranimin afganëve të cilët bashkëpunuan me amerikanët për më shumë se dy dekada në Afganistan. Në mesin e këtyre vendeve pranuese do të jetë edhe shteti i Kosovës.

KALLXO.com merr vesh se rreth 250 afganë do të jenë pjesë e kontingjentit të valës së parë të ardhjes në Kosovë. Por, deri më tani, ekzekutivi i vendit nuk kanë dhënë detaje për vendin se ku do të strehohen.

Në një bisedë për KALLXO.com, drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta, tha se zyrtarë qeveritar janë interesuar për kapacitetet e QS-së. Ai e ka konfirmuar se në Qendrën e Studentëve kanë nis përgatitjet dhe renovimet, por kjo nuk lidhet me ardhjen e afganëve.

“Përgatitjet po, kanë nis por jo specifikisht për atë që po flitet. Ne po i bëjmë përgatitjet dhe renovimet për të qenë të gatshëm më 1 tetor, nuk po i bëjmë as për afganët as për askënd”, tha ai.

“Na kanë pyet për kapacitet, jo më shumë diçka”, tha Sfishta kur u pyet nëse zyrtarët shtetëror kanë kontaktuar atë për t’i strehuar shtetasit e Afganistanit në Kosovë në Qendrën e Studentëve.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të ekzekutivit kosovar që nga java e kaluar për të marr detaje rreth numrit dhe lokacionit se ku do të vendosën afganët, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sfeçla.

Parlamenti Studentor e ka kundërshtuar idenë që afganët të zënë vend në konviktet e studentëve.

Parlamenti Studentor kundërshton vendosjen e refugjatëve afganë në konvikte