Zyrtarja e Qendrës së Studentëve raporton në Polici se u sulmua nga ish-drejtori, Fatmir Sfishta e mohon

G.V., zyrtare për barazi gjinore në Qendrën e Studentëve, ka raportuar se ish-drejtori i kësaj Qendre, Fatmir Sfishta, e ka sulmuar atë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rasti sulm ndaj personit zyrtar është duke u trajtuar nga Policia” – ka thënë Ahmeti.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zyrtarja për barazi gjinore në Qendrën e Studentëve, mirëpo ajo vetëm e ka pohuar rastin dhe nuk ka pranuar që të japë më tepër detaje për këtë çështje.

“Ka ndodhë, ka ndodhë, e vërtetë është, jam kanë e sulmuar, më ka sha, më ka kërcënu, më ka sulmu” – ka thënë G.V.

“Unë krejt çka kam pasë me thënë i kam thënë edhe lirisht shkoni te organet kompetente, rasti është i lajmëruar edhe mos më shqetësoni më se jam lodhë’ – është shprehur ajo.

Në anën tjetër, ish-drejtori i Qendrës së Studentëve ka thënë se G.V. ka qenë ajo që ka shkuar në shtëpinë e tij dhe e ka provokuar gruan e tij.

“Zyrtarja në fjalë ka ardhë te shtëpia ime dhe e ka provokuar gruan time në format e saj, edhe ajo (zyrtarja) e ka denoncu, unë kam dalë e kam marrë gruan time te shtëpia ime e kam futë në veturë, ajo ka shku e ka denoncu rastin” – ka thënë Sfishta.

Sipas Sfishtës, Policia i ka marrë kamerat në shtëpinë e tij për t’i parë incizimet.

“Ky është rast krejt i inskenuar prej saj e prej dikujt, nuk është e imja me ardhë në përfundim mirëpo, rastin e kanë marrë, kam shku kam dhënë deklaratë në Polici, kanë ardhë i kanë marrë kamerat, incizimet në shtëpi, e kanë parë që nuk qëndron ajo që ka thënë…” – është shprehur ai.

Sipas Sfishtës, kjo zyrtare kur ka shkuar para shtëpisë së tij e ka përmendur edhe shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të QS-së.

“Unë veç i kam thënë “Kurrë mos hajde te shtëpia ime me ma provoku familjen. I ka thënë gruas time: “Qysh po të doket që e ka heqë prej pune burrin tënd Vetëvendosja””-pretendon Sfishta.

Ai shprehet se nuk ka pasur probleme mes tij dhe kësaj zyrtareje në të kaluarën.

“S’e di, s’e di, kurrëfarë mosmarrëveshje. Ajo zyrtarja ka ardhë në punë kur unë kam qenë drejtor aty, është avancu prej kur kam qenë unë drejtor aty. Domethënë nuk kam pasë kurrfarë problemi me të, hiç absolut kurrë, se nuk kam pasur arsye me pasë problem, por ajo ka ardhë te shtëpia ime, nuk kam shkuar unë, as nuk jemi taku rastësisht”- është shprehur Sfishta.

“Fati është që kam pasë incizime, se qysh ka denoncu e ka akuzu kjo, ka qenë më rëndë” – ka shtuar ai.