Ushtarakët britanikë stërvitin ushtarët e FSK-së për mbijetesë në mot të ftohtë

Një ekip ushtarakësh britanikë kanë stërvitur ushtarët e Kosovës për kërkim-shpëtim dhe reagim ndaj fatkeqësive.

Ekipi nga Kërkimi dhe Shpëtimi Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (UKISAR) realizoi trajnime në mot të ftohtë dhe reagim ndaj fatkeqësive së bashku me stafin e Qendrës Trajnuese Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së në Pomozatin (SARTC – QNTKSH).

Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Ata simuluan shumë skenarë të reagimit ndaj fatkeqësive. Këto përfshinin përdorimin e objekteve stërvitore në SARTC – QNTKSH për të kryer kërkime në rrënoja pas një tërmeti, trajtimin e viktimave dhe evakuimin pas një përplasjeje të madhe të trafikut rrugor dhe në terren. Gjithashtu edhe në skenar për reagimin ndaj rrëshqitjes së dheut, kërkimeve në mal, evakuimin e viktimave, si dhe mbijetesën në mot të ftohtë”, ka shkruar ministri.

UKISAR është ekipi kryesor ndërkombëtar i reagimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe i autorizuar nga Kërkimi dhe Shpëtimi i Kombeve të Bashkuara si ndër më të mirët në botë.