Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prishtinës ende s`ka datë se kur do të hapet konkursi për Sekretar të UP-së

Që nga 24 janari kur Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, vendosi që të shpallet konkurs publik për pozitën e Sekretarit të UP-së dhe mos t’ia vazhdojë mandatin ish-sekretarit, Esat Kelmendi, UP-ja ende nuk e ka përgatitur konkursin për këtë pozitë.

Nga Universiteti i Prishtinës kanë bërë të ditur për KALLXO.com se lënda është në fazën e ankimimit dhe nuk dihet data specifike kur shpallet konkursi.

“Universiteti në këtë fazë nuk mund të parashikojë datë specifike, pasi lënda është në fazën e ankimimit dhe trajtimit të saj nga organet e tjera që mbizotërojnë në këtë procedurë. Konkursi për përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm të UP-së do të përmbyllet brenda afateve ligjore”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

Me mos vazhdimin e mandatit të ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi, rektori Naser Sahiti e kishte emëruar ushtrues të detyrë së Sekretarit të UP-së, Besort Krasniqin.

Kurse, ish-sekretari Esat Kelmendi është emëruar Drejtor i Zyrës Ligjore të UP-së.  UP që nga fundi i vitit 2017 e deri më 28 janar të këtij viti, kishte qenë pa drejtor të zyrës ligjore.

Sipas Statutit të UP-së, Sekretari është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i Universitetit, me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta të përcaktuara në kontratën e tij e cila nënshkruhet nga rektori.

Po ashtu statuti thekson se Sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik.

Këshilli Drejtues nuk ia vazhdon mandatin Sekretarit të UP-së

.