Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Këshilli Drejtues nuk ia vazhdon mandatin Sekretarit të UP-së

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës (UP), i ka dhënë fund epilogut të pozitës së Sekretarit të UP-së, ku u vendos që të mos i vazhdohet edhe një mandat si Sekretar i Përgjithshëm, u.d. Sekretarit, Esat Kelmendi dhe të shpallet konkurs publik.

Për vazhdimin e mandatit të Kelmendit, ishin 3 vota për, 4 kundër dhe 2 abstentime dhe votimi ka qenë i fshehtë. Me këtë votim, është hapur mundësia që të shpallet konkursi publik për pozitën e Sekretarit të UP.

KALLXO.com e ka monitoruar këtë mbledhje.

Tash e disa muaj, vazhdimi ose jo i mandatit të ish-sekretarit, aktualisht Ushtrues Detyre i Sekretarit, Esat Kelmendi, ka kaluar në duar të Këshillit Drejtues të UP-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme e deri tek Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

E gjithë historia ka filluar kur rektori i UP-së, Naser Sahiti e emëroi si U. D. ish-sekretarin që kjo pozitë të mos mbetej vakante dhe kërkoi interpretim ligjor në Ministri të Punëve të Brendshme nëse mund t’i vazhdohet mandati Esat Kelmendit.

Por, MPB kishte lëshuar dy interpretime ligjore në të njëjtën ditë në nëntor të vitit 2021, por me interpretime të kundërta me njëra-tjetrën për vazhdimin ose jo të mandatit të sekretarit dhe e kishte vështirësuar vendimmarjen për këtë pozitë.

MPB më pas në dhjetor kishte sqaruar se KD i UP-së duhet ta marrë për bazë mendimin e tyre këshillimor, që thuhet se nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit të sekretarit.

Pas kësaj situate, rektori i UP-së Naser Sahiti, me kërkesë të Këshillit Drejtues kishte kërkuar mendim juridik edhe tek Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Më 18 janar, KPMShCK-ja i përgjigjet shkresës së rektorit, të siguruar nga KALLXO.com, duke thënë se pozita e Sekretarit të UP-së, sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, klasifikohet si pozitë e nivelit të lartë drejtues.

Esat Kelmendit i ishte vazhduar kontrata në vitin 2018 për tri vite si Sekretar, nga ish-anëtarët e Këshillit Drejtues pa konkurs, duke u bazuar në një shkresë të ish-rektorit, Marjan Dema, ku i kërkonte atyre që kontrata e Kelmendit të vazhdohet me automatizëm për shkak ‘të arritjeve të tij në këtë pozitë për pesë vitet e fundit”.

Këtë kërkesë, Dema e kishte bazuar në një mendim ligjor të Ministrisë së Administratës Publike, një shkrese të  Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës.

‘Hallakama’ me pozitën e Sekretarit të Universitetit të Prishtinës

.