Shkumbin Ahmetxhekaj/ Facebook

U.D. i drejtorit të RTK-së: Do të reduktohet stafi i RTK-së në minimum 140 persona

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se projeksionet për rekrutim të stafit në RTK, nuk nënkuptojnë punësime të reja, por për reduktim të stafit.

Sipas tij, minimumi i stafit që do të reduktohet nga RTK, është 140 persona.

Ahmetxhak ka njoftuar se momentalisht në RTK janë të punësuar 766 punëtorë me kontrata të rregullta, ndërsa gjatë vitit të kaluar kanë qenë të angazhuar me kontratë mbi vepër edhe 239 persona të tjerë.

Tutje Ahmetxhekaj ka njoftuar se kontratat e kësaj natyre, për shërbime të veçanta nuk do të vazhdohen.

“Këto lloj kontratash që janë vazhduar që një kohë të gjatë nga menaxhmentet e kaluara, nuk do të aplikohen më në masë pas datës 31 mars 2022, përveç angazhimeve specifike të artistëve apo të personaliteteve që nuk mund të kontraktohen përmes procedurave të prokurimit publik”, ka shkruar Ahmetxhekaj në Facebook.

“Pra, RTK pas datës 31 mars 2022, nuk do të ketë më punonjës në pozita esenciale që punojnë mbi këtë formë kontraktuale, por do të ketë punëtorë që lidhin kontratë bazuar në Ligjin e Punës”, ka shkruar tutje ai.

Bordi i RTK-së në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme kishte marrë vendimin për shkarkimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shalën.

Propozimi për shkarkim ishte bërë nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ndërkaq në vend të Shalës, është emëruar Arsim Halili, deri në përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.