Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Foto: Kallxo.com
Mentor Shala shkarkohet nga pozita e zëvendësdrejtorit të RTK-së
Bord i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ka njoftuar se ka shkarkuar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shalën.
“Z. Shala gjatë kohës së kryerjes së detyrave në RTK, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur ka shkelur Ligjin për RTK-në dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së, qoftë duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme apo duke mos ruajtur paanshmërinë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, bord i RTK-së e ka aprovuar propozimin e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit, Shkumbin Ahmetxhekaj për ta shkarkuar Shalën dhe në të njëjtën kohë ka aprovuar propozimin e tij për emërimin e Arsim Halilit në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.
“Bordi i RTK-së ka aprovuar propozimin e z. Shkumbin Ahmetxhekaj, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së për emërimin e z. Arsim Halili në pozitën e U.D. Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, deri në përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bord ii RTK-së bën të ditur se në mbledhjen e sotme ka pritur në takime të ndara përfaqësuesit e dy sindikatave të punëtorëve në televizion dhe në radio, por që sindikata SPRTK nuk iu është përgjigjur pozitivisht ftesës nga Bordi për të marrë pjesë në takim.
“Bordi i RTK-së siguroi sindikatat e RTK-së se do t’i adresojë shqetësimet e tyre në përputhje me rregullativën e RTK-së sa i përket të drejtave të punëtorëve, transmetimit të sinjalit në gjithë territorin e Kosovës dhe çështje të tjera me rëndësi”, thuhet në njoftimin e bordit të RTK-së.