Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Tri partitë opozitare e kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit

Tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga SHBA-të dhe BE-ja.

Opozita, një kopje të këtij draft-statuti e ka pranuar dje.

Për KALLXO.com, nga PDK kanë njoftuar se dokumentin e kanë pranuar nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”- tha zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës për KALLXO.com e ka pohuar të njëjtën gjë.

Ndërsa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë thënë se pas pranimit, drafti i është shpërndarë të gjithë anëtarëve të kryesisë se partisë dhe është kërkuar nga ta t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me këtë draft-statut.

“Komentet do të diskutohen në mbledhjen e radhës që është thirrur më 7 dhjetor nga ora 17:00. Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”- thuhet në përgjigjen e AAK-së për KALLXO.com.

SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz; me presidentin e Francës, Emmanuel Macron; kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni; presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel; zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Mirosllav Lajcak.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Kurti: Drafti i tanishëm i Asociacionit është më i avancuar, vërejtjet dhe kritikat ia kam dërguar Lajçakut