Bekim Blakaj - Fituesi i çmimit “Evropiani i Vitit 2024” , Foto: Zyra e BE-së në Kosovë
Bekim Blakaj - Fituesi i çmimit “Evropiani i Vitit 2024”
Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka ndarë çmimin “Evropiani i Vitit 2024”, Drejtorit Ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.
BE-ja në Kosovë ia ndanë çmimin “Evropiani i Vitit” një individi apo institucioni që konsideron se ka kontribuar më së shumti në promovimin e idesë evropiane në Kosovë gjatë viteve të kaluara.
Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ia ka dorëzuar këtë çmim Blakajt në prani të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti, ambasadorit të Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier që përfaqëson Presidencën belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësuesve nga komuniteti diplomatik, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.
Në njoftimin e tyre, BE po ashtu vlerësojnë se Blakajt i është ndarë çmimi “Evropiani i Vitit 2024” për kontributin e tij të rëndësishëm në promovimin e ideve dhe vlerave evropiane në Kosovë.
Me këtë rast, ambasadori Szunyog ka përshkruar kontributin e Blakajt në Kosovë duke thënë se për më shumë se dy dekada ai ka avokuar për drejtësi.
“Për më shumë se dy dekada, Bekimi ka avokuar për drejtësi, të drejtat e njeriut dhe pajtim. Duke besuar se paqja i gjen rrënjët në të kaluarën, Bekimi ka punuar pa u lodhur për të luftuar narrativet e njëanshme të së kaluarës dhe për të promovuar një shoqëri më të drejtë që respekton të drejtat e çdo qytetari. Ai është një model i vërtetë në Kosovë dhe më gjerë, duke mishëruar vlerat e BE-së” – ka thënë ambasadori Szunyog, më 08.05.2024.
Përveç Blakajt, për të fituar çmimin “Evropiani i Vitit 2024” kanë qenë të nominuar edhe Blert Morina nga Organizata për Barazi dhe Liri ‘Cel Kosova’, Vesna Stajiq nga streha multietnike e dhunës me bazë gjinore, dhe Mentor Gashi dhe Slavisha Stojanoviq nga Strehimorja e Qenve Prishtina.
Për t’u zgjedhur fituesi i çmimit “Evropiani i Vitit”, Zyra e BE-së ndjekë një proces votash, përmes së cilit edhe përcaktohet se kush do ta fitojë çmimin.
“Derisa BE-ja në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE-së propozojnë të nominuarit, fituesi përcaktohet përmes votave të hedhura në faqen e Facebook-ut dhe llogarinë e BE-së në Instagram në Kosovë” – thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Të nominuarit i ka falënderuar ambasadori Szunyog, të cilët sipas BE-së në Kosovë, kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në promovimin e idesë dhe vlerave evropiane në Kosovë.
Ndërkaq, fituesit e mëparshëm të çmimit “Europiani i Vitit” nga viti 2016 deri më 2023 janë: për vitin 2016 – Kampionia olimpike, botërore dhe evropiane në xhudo, Majlinda Kelmendi, më 2017 – Erzen Shkololli, artist dhe kurator, më 2018 – Jeton Neziraj, dramaturg dhe drejtor artistik i Qendrës Multimedia, më 2019 – Kompania KIVO, sipërmarrje e përbashkët Kosovë – Hollandë, më 2020 – Lul Raka, Profesor i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve, Universiteti i Prishtinës, më 2021 – Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, më 2022 – Fahrije Hoti, sipërmarrëse dhe më 2023 – Ledion Halitaj, pianist.
Në anën tjetër, sot shënohet Dita e Evropës. Dita e Evropës nënkupton një festë zyrtare që shënohet çdo vit më 9 maj për të festuar themelimin e Bashkimit Evropian. Në këtë ditë, të gjithë shtetet anëtare të BE-së festojnë me ngjarje të ndryshme që shërbejnë si një rast për t’i nderuar arritjet e BE-së dhe për të nxitur bashkëpunimin evropian.
Dita e Evropës shënohet më 9 maj sepse në këtë datë në vitin 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, publikoi një deklaratë historike ku propozoi krijimin e Bashkimit Evropian. Kjo deklaratë është konsideruar si një hapi i rëndësishëm në integrimin evropian dhe në krijimin e një Evrope pa kufij, të bashkuar dhe të paqësorë.
Për dallim nga shtetet tjera të Evropës, për shkak se konsiderohet festë zyrtare, në Kosovë institucionet e llogarisin ditë pushimi.