Ilustrim

Tre të arrestuar për vjedhje të rëndë në Vushtrri

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre person që dyshohen për vjedhje të rëndë në Vushtrri.

Sipas njoftimit të Policisë, në orët e pasdites së sotme është arritur që të identifikohen dhe të arrestohen tre të dyshuarit, pasi për të njëjtit është raportuar në orët e mëngjesit të sotëm se kanë kryer një vjedhje në Vushtrri.

Vjedhja, sipas Policisë, dyshohet se ka ndodhur gjatë natës së kaluar në një dyqan në rrugën “Galip Badivuku”.

Tutje është thënë se në cilësi të provave materiale te të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar disa nga gjërat e vjedhura të cilat do të procedohen si dëshmi për veprën penale.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, njëri nga të dyshuarit ka rezultuar se për të kishte urdhëresë aktive të lëshuar nga gjykata.

“I njëjti sipas urdhëresës është dërguar në vuajtje të dënimit”, ka thënë Policia.

Në anën tjetër, dy të dyshuarit tjerë me urdhër të prokurorit të rastit thuhet se janë liruar në procedurë të rregullt.