Transportuesit kërkojnë heqjen e akcizës në derivate si masë parandaluese për rritjen e çmimeve
Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve me autobusë po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që për një periudhë të caktuar të hiqet akciza për furnizim me derivatet e naftës.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi pas një mbledhje të jashtëzakonshme që e ka mbajtur kjo shoqatë për të diskutuar vështirësitë e këtij sektori.
Sipas njoftimit, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve me autobusë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për një periudhë të caktuar të hiqet akciza për furnizim me derivatet e naftës për një periudhë të caktuar.
“Si përfundim, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që për një periudhë të caktuar kohore të hiqet akciza për furnizimin me derivatet e naftës për sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve me autobusë apo lirimin nga TVSH të furnizimit me derivatet e naftës, deri në normalizimin e situatës së krijuar”, thuhet një njoftimin e Shoqatës.
Sipas tyre, miratimi i kërkesave do t’i ndihmonte kompanitë që janë në prag të falimentimit dhe njëkohësisht do të mbronte interesin publik të qytetarëve si masë parandaluese për rritjen e çmimit të biletave.
Ata kanë thënë se ky sektor është ballafaquar me vështirësi të shumta duke filluar nga pandemia COVID-19.
“Për të vazhduar pastaj me problemet tjera përcjellëse nga mos përkrahja dhe mungesa e subvencioneve e deri më tani tek problemet e ngritjes drastike të çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.
Çmimet e derivateve janë rritur përsëri këto ditë.
Çmimi i naftës sot është nga 1.79 euro deri në 1.87 euro.