Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MMPHI shpjegon vendimin për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori qytetarësh

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në një postim në faqen e tyre zyrtare kanë shpjeguar se pse është marr vendimi për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori qytetarësh.

Sipas Ministrisë një vendim i tillë është marr pas rritjes së vazhdueshme të çmimit të biletave dhe se ky vendim është në mbështetje të autorizimeve ligjore, përkatësisht në Ligjin për Transportin.

“Në mbështetje të autorizimeve ligjore, kemi ndërmarrë hapat formale ligjore, duke u mbështetur në nenin 22, paragrafi 3, të Ligjit për Transportin, duke caktuar kështu çmimore të veçantë për fëmijët, studentët, invalidët e luftës të punës dhe pensionistët, që këto kategori të jenë më të mbrojtura në raport me çmimet në rritje në transportin ndërurban të udhëtarëve me autobus”, është thënë në njoftim.

Tutje është treguar se ky vendim do të jetë deri në deri në normalizimin e gjendjes me çmimet nga operatorët e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobus.

Po ashtu, MMPHI-ja ka thënë se përmes mekanizmave dhe instrumenteve ligjore do të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në fjalë nga të gjithë operatorët e transportit të udhëtarëve dhe se organet e kontrollit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.

Në anën tjetër, sot gjatë ditës Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka dorëzuar padi kundër Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me këtë vendim.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj para mediave ka thënë se padia është bërë me qëllim që t’i jepet kohë Qeverisë së Kosovës që të reflektoj lidhur me vendimin e marr të premten.

“Dje në mbledhje, thuajse komplet këshilli drejtues dhe operatorët kanë kërkuar që nga sot të fillohet protestë, pra që sot të mos të dilet në rrugë, por kemi arrit si këshill drejtues i shoqatës që paraprakisht t’i japim kohë qeverisë, të merremi me masën e parandalimit të dëmit, pra me masën e përkohshme, pra me kërkesë padi në gjykatë në mënyrë që të ketë kohë edhe qeveria të reflektoj”, ishte shprehur ai.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, të premten kishte njoftuar se kanë marrë vendim për caktimin e çmimores në transportin ndërurban të udhëtarëve me autobus për kategoritë e veçanta siç janë: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët punës dhe pensionistët.

Sipas këtij vendimi, fëmijët deri në moshën 6-vjeçare nuk obligohen të paguajnë biletë të transportit.

Për kategoritë tjera – studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës, pensionistët, çmimi i biletës në transportin ndërurban me autobus do të jetë 50% e vlerës së çmimit të biletës që është aktualisht në atë relacion.

Në anën tjetër, më 13 mars 2022, këshilli i kësaj Shoqate kishte nxjerr tre vendime, duke kërkuar që të shfuqizojë vendimin ekzekutivi kosovar dhe të subvencionojë transportuesit privatë.

“E para është se, këshilli drejtues përmes një kërkesë padie do t’i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe mohimin e të drejtave tona, si treg i lirë dhe operator privat në sektorin e transportit rrugor”, pati thënë para gazetarëve Ruzhdi Kurtishaj të dielën.

Ai kishte shtuar se Qeveria e vendit ka tre ditë kohë që të tërhiqet nga vendimi, në të kundërtën, sipas Kurtishajt, do të vazhdohet një protestë e cila ishte pezulluar kohë më parë.

“Vendimi dytë ka të bërë që, brenda tre ditës, në afat prej 72 orësh Qeveria ta anuloj këtë vendim. Ne presim reflektimin e Qeverisë në anulimin e këtij vendimi në afat prej 72 orësh”, kishte deklaruar ai.

“Vendimi i tretë ka të bëjë nëse nuk aprovohet kërkesa e dytë e jona, të organizohen protesta, në fakt protesta është e pezulluar dhe ajo vetëm do të vazhdohet. Ne presim reflektimin e Qeverisë”, pati thënë ai.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve dorëzon padi kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës