Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve dorëzon padi kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka dorëzuar padi kundër Ministrisë së Infrastrukturës rreth vendimit për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori qytetarësh.

Lidhur me këtë, kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, bëri të ditur se padia pretendon për shkelje ligjore të vendimit të Ministrisë.

Kurtishaj tha se padia është bërë me qëllim që t’i jepet kohë Qeverisë së Kosovës që të reflektoj lidhur me vendimin e marr të premten.

“Dje në mbledhje, thuajse komplet këshilli drejtues dhe operatorët kanë kërkuar që nga sot të fillohet protestë, pra që sot të mos të dilet në rrugë, por kemi arrit si këshill drejtues i shoqatës që paraprakisht t’i japim kohë qeverisë, të merremi me masën e parandalimit të dëmit, pra me masën e përkohshme, pra me kërkesë padi në gjykatë në mënyrë që të ketë kohë edhe qeveria të reflektoj”, ka thënë ai.

 

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, të premten kishte njoftuar se kanë marrë vendim për caktimin e çmimores në transportin ndërurban të udhëtarëve me autobus për kategoritë e veçanta siç janë: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët punës dhe pensionistët.

Sipas këtij vendimi, fëmijët deri në moshën 6-vjeçare nuk obligohen të paguajnë biletë të transportit.

Për kategoritë tjera – studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës, pensionistët, çmimi i biletës në transportin ndërurban me autobus do të jetë 50% e vlerës së çmimit të biletës që është aktualisht në atë relacion.

Në anën tjetër, më 13 mars 2022, këshilli i kësaj Shoqate kishte nxjerr tre vendime, duke kërkuar që të shfuqizojë vendimin ekzekutivi kosovar dhe të subvencionojë transportuesit privatë.

“E para është se, këshilli drejtues përmes një kërkesë padie do t’i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe mohimin e të drejtave tona, si treg i lirë dhe operator privat në sektorin e transportit rrugor”, pati thënë para gazetarëve Ruzhdi Kurtishaj të dielën.

Ai kishte shtuar se Qeveria e vendit ka tre ditë kohë që të tërhiqet nga vendimi, në të kundërtën, sipas Kurtishajt, do të vazhdohet një protestë e cila ishte pezulluar kohë më parë.

“Vendimi dytë ka të bërë që, brenda tre ditës, në afat prej 72 orësh Qeveria ta anuloj këtë vendim. Ne presim reflektimin e Qeverisë në anulimin e këtij vendimi në afat prej 72 orësh”, kishte deklaruar ai.

“Vendimi i tretë ka të bëjë nëse nuk aprovohet kërkesa e dytë e jona, të organizohen protesta, në fakt protesta është e pezulluar dhe ajo vetëm do të vazhdohet. Ne presim reflektimin e Qeverisë”, pati thënë ai.