Foto: Lëvizja Studentore Jakova

Çmimet e biletave të autobusëve për linjat ndërurbane të papërballueshme për studentët

Studentja gjakovare Tereza Përlleshi ka tashmë katër muaj që udhëton në relacionin Gjakovë – Prishtinë, me qëllim të ndjekjes së një trajnimi një vjeçar që i ndihmon asaj në aspektin profesional për drejtimin të cilin ajo ka zgjedhur të studiojë.

Mirëpo, një pengesë në këtë aspekt i është shafqur kësaj studenteje që nga ngritja e çmimeve të biletave të autobusëve në këtë relacion, pasi një gjë e tillë ka bërë që tash e tri javë Përlleshi të detyrohet ta humbasë nga një ditë të trajnimit dhe ta ndjek atë vetëm 3 herë gjatë javës, ngase çmimi i tanishëm i biletës Gjakovë – Prishtinë dhe anasjelltas prej 5 eurosh është i papërballueshëm për të.

Studentja 18 vjeçarja detyrohet që të gjejë rrugëdalje të tjera për të qenë e pranishme në trajnimin të cilin ajo ndjek.

Me disa kolege që janë nga Gjakova kemi menduar që ndonjeherë të shkojmë (në trajnim) me makinë sipas radhës. Për shembull, sot e marrë unë makinën dhe koleget nga Gjakova vijnë me mua për të mos bërë shpenizime dhe në ditën e radhës shkoj me kolegen e radhës”.

Përleshi shpjegon se kjo zgjidhje nuk mund të praktikohet shpesh për shkak se makinat nuk janë gjithmonë në dispozicion.

Me një problem të ngjajshëm po përballet edhe studenti Etnik Peni, i cili për të qenë i pranishëm në ligjërata dhe ushtrime udhëton disa herë gjatë javës nga Gjakova deri në Fushë Kosovë dhe ansjelltas.

Peni tregon se çmimi i biletës prej pesë eurove po është tejet i lartë dhe kjo gjë po e thynë atë drejt konsiderimit që t’i rrallojë udhëtimet me autobus. Ky veprim do t’ia pamundësonte atij ndjekjen e të gjitha orëve mësimore. Ai përmend edhe faktin se më parë kusurin e mbetur mund ta shpenzonte për ushqim apo kafe, kurse tani paratë e mbetura duhet t’i kursej për biletë.

Çmimi që kam pagu më përpara ka qenë mjaft i lartë, 4 euro, kurse tash është bërë 5- e që është edhe më shumë i papërballuëshëm”, tregon 23 vjeçari teksa rrëfen se bileta e shtrenjtë ka qenë edhe në të shkuarën problem për studentët e Gjakovës, pasi që rrallë herë ka pasur zbritje për këtë kategori, kurse nëpër komuna të tjera po.

Kompanitë e autobusëve në Gjakovë që kanë bërë zbritje për studentët kanë qenë të pakta, mirëpo nuk mund ta mohoj se nganjëherë ka pasur raste kur konduktori në mënyrë private m`i ka marrë vetëm 3 euro duke e ditur që jam student dhe udhëtoj pothuajse çdo ditë pune”.

Një tjetër studente nga Gjakova që ka pohuar një problem të tillë është edhe L.K. e cila studimet i vijon në Universitetin e Prishtinës dhe thotë se udhëton çdo javë për në shtëpi, e që ka tri javë që kur ajo po paguan më shtrenjtë gjatë udhëtimit në trafikun ndërurban.

Pengesa për mua është që jam studente dhe nuk punoj, e tani duhet me i menaxhu më mirë të ardhurat”, shprehet ajo, duke shtuar se e sheh të arsyeshme uljen e këtij çmimi për studentët për arsye se shumica prej tyre nuk punojnë dhe se jetesa në Prishtinë nuk është edhe aq e lirë.

Rritja e çmimeve për këtë relcaion ishte paralajmëruar që në shkurt të këtij viti, ku përmes një postimi në Facebook një kompani private kishte paralajmëruar rritjen e çmimit të biletës për linjën Prishtinë – Gjakovë, me ç’rast ishte thënë se çmimi është rritur për shkak të rritjes së çmimit të derivateve të naftës.

Megjithatë, ngritja e çmimeve të biletave të autobusit kishte dalë të jetë shqetësues edhe për studentë nga komuna të tjera të Kosovës. Një ndër ta është edhe Fatlinda Tahiraj, e cila vijon studimet në Prishtinë dhe çdo fundjavë kthehet për të vizituar familjen e saj në Deçan. Ajo rrëfen se për të shkuar deri në Deçan nga Prishtina asaj i duhej t’i paguante pesë euro dhe kjo gjë për të si studente është tejet e pavolitshme, duke marrë parasysh se përpos transportit ndërurban ngritja e çmimeve po ndodhë edhe në sektorë tjerë.

Çmimi paraprak prej katër euro ka qenë sfidë në vete, mirëpo edhe shtrejtimi i tanishëm paraqet një problem më të madh. Sidomos për ata studentë të cilët nuk janë në marrëdhënie pune kjo ngritje e çmimit është tejet sfiduese”.

Rrafshi i Dukagjinit doli  të mos jetë i vetmi vend ku shtrenjtimi i biletave ishte bërë problem.

Sipas një hulumtimi të kryer në terren nga KALLXO.com ishte evidentuar se rritja e çmimit të biletve ka ndodhur edhe nëpër komuna të tjera

Shtrenjtimin e biletës së autobusëve për linjën Prishtinë – Ferizaj e pohonte studentja L.S., e cila tregonte se më përpara çmimi i biletave për studentëve ka qenë 1 euro e që aktualisht ka kaluar në 1 euro e 50 cent. Megjithatë, kjo studente thekson se krahas shtrenjtimit që ka ndodhur, në këtë linjë është një kompani e transportit ndërurban e cila çmimin për studentët e ka lënë të njëjtë.

Mirëpo, eksiston një kompani në Ferizaj që e ka çmimin vetëm 1 euro, edhe t`u e marrë parasysh këtë fakt e shoh që shumë studentë e presin pikërisht këtë linjë sepse kushton më pak, që me udhëtu çdo ditë edhe me kursy ma shumë, sespe siç dihet mundësitë financiare të studentëve në Kosovë nuk janë prej më të mirave”, rrëfen L.S.

Ajo përmend se edhe pse për të një rritje prej 50 centësh nuk është shumë e papërballueshme, e tillë është më shumë për studentët të cilët ngaqë banojnë në fshat detyrohen t’i ndërrojnë nga dy autobusë me ç’rast atyre u bie të paguajnë më tepër.

Një sfidë të tillë e ka Z. Z. nga fshati Ticë i Skënderajt e cila vijon studimet në fakultetin filologjik në Prishtinë, e cila shpjegon se para shtrenjtimit të biletave ajo ka shpenzuar 4-euro për vajtje-ardhje, kurse pas shtrenjtimit është detyruar të paguaj 6 euro.

Prej Skenderajt deri në Prishtinë, bileta është 2 euro, ndërsa prej Skënderaj në fshatin Ticë, ku unë jetoj, bileta është 1 euro”, shpjegon 21 vjeçarja.

Shkaqet e rrijtes së çmimeve, reagimet dhe vendimet pasuese

Kjo ngritje e çmimeve në transportin ndërurban kishte ndodhur pas rritjes së çmimit të derivative.

Lidhur me këtë çështje, më 11 mars të këtij viti zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi, kishte dalë me një deklaratë, ku kishe njoftuar se është marrë vendimi për përgjysmim të çmimit të biletave për autobusë.

Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritëtqë prek më shumë kjo gjendje”, kishte shkruar Durmishi duke treguar se pjesë e këtyre kategorive ishin fëmijët, studentët, invdalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët, gjerësa fëmijët nën moshën 6 vjeçare ishin të liruar nga pagesa për bilëtë të transportit.

Ani pse ky vendim i cili obligon të gjithë operatorët e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobus që të respektojnë çmimoren për kategoritë e përcaktuara, kishte hyrë në fuqi menjëherë pas shpalljes dhe parashihej të zgjaste deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të naftës, një gjë e tillë nuk u respektua nga kompanitë e trasnportit.

Mirëpo, qëndrimin kundër zbatimit të këtij vendimi e kishte bërë publik kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj duke thënë se transportuesit nuk do e zbatojnë vendimin e Ministrisë për përgjysmim të çmimit të biletave të autobusëve. Kjo shoqatë kishte dorëzuar padi kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës. Kurtishaj para gazetarëve e kishte cilësuar këtë vendim si arbitrar duke thënse se është vendour pa biseduar fillimihst me bizenset. Ai kishtë thënë se ata si shoqatë presin reflektimin e qeverisë për këtë vendim dhe vendime të tjera të cilat merren pa u konsultuar paraprakisht me bizneset.

 

Bizneset janë duke vepruar në bazë të ligjit. Është ekonomi e lirë, është tregu, kërkesa dhe oferta ato që e përcaktojnë çmimin në treg, andaj mendojmë se ky vendim është jashtëzakonisht i dëmshëm për bizneset”, kishtë thënë Kurtishaj.

Mirëpo, ende pa kaluar një javë nga kjo padi, ishte numri dy i Ministrisë së Ambientit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ai që njoftoi se është arritur një marrëveshje mes këtij institucioni dhe Shoqatës së Transportit Rrugor.

Me Shoqatën e Transportit Rrugor, u dakorduam se çmimet e biletave për kategoritë e veçanta, sipas vendimit të javës së kaluar, do të kthehen në gjendjen siç kanë qenë para fillimit të rritjes së çmimeve. Çmimet për këto kategori të veçanta të shoqërisë nuk do të rriten edhe nëse do të ketë rritje të çmimit të naftës dhe derivateve të saj”, kishte njoftuar Durmishi të premten e 18 marsit, duke bërë të ditur se është shfuqizuar vendimi i më parshëm për përgjysmim të çmimeve për disa kategori të caktuara, me ç’rast edhe Shoqata e Transportit Rrugor kishte tërhequr padinë.

Vendime të reja, probleme të vjetra

Pavarësisht dakordimit mes Durmishit dhe Shoqatës së Transportit rrugor, KALLXO.com ka evidentuar disa raste të caktuara ku studentët kanë vazhduar të paguajnë çmimet e biletës njëjtë me pasagjerët e tjerë. Një rast i tillë ka ndodhur me një kompani transporti në drejtimin Gjakovë – Prishtinë.

Foto: Lëvizja Studentore Jakova

A.L., një tjetër studente nga Gjakova tregon se ka udhëtuar në të njëjtin drejtim dhe ka paguar çmimin prej 5 euro, njëjtë me udhëtarët e tjerë. Ajo thekson se përpos kësaj ajo nuk ka marrë as kupon fiskal nga konduktori.

Çmim në vlerë të njëjtë deklaron të ketë paguar edhe një tjetër studente. Megjithatë, Ardita Lama pohon se asaj si pasagjere i është dhënë kupon fiskal nga ana e konduktorit.

Hera fundit që kam udhëtu ka qenë e diele, pra me 20 mars, kam pagu 5 euro dhe të gjithë kanë pagu po në këtë shumë”.

Sipas Lamës kjo gjendje i ka sjellë në pozitë të palakmueshme studentët të cilët kanë angazhime, pagesa të ndryshme dhe investime në të ardhmen e tyre. Ajo përmend se ka kohë që kur studentët e Gjakovës përballen me këtë problem.

Çmimi ka qenë gjithemonë 4 euro, edhe atëherë kemi pas pakënaqësi. Por në atë kohë çmimi 4 euro ka qenë si pasojë e rrugës së pandërtuar dhe merrte më shumë kohë. Prap nuk kanë lëvizur cmimet edhe pse qarkullimi u bë me i lehtë”.

Foto: Lëvizja Studentore Jakova

Reagimi nga ana e Parlamentit Studentor

KALLXO.com ka kontaktuar kreun e Parlamnetit Studentor edhe pas shfuqizimit të vendimit të lartpërmendur për të marrë vesh reagimin e tyre.

Në një përgjigjje me shkrim për KALLXO.com Lirigzon Hoxha ka potencuar se edhe pas këtij shfuqizimi Parlamnetit Studentor bën thirrje që të ndërmerren veprime konkrete në mënyrë që çështja e çmimeve të biletave të transportit ndërurban të rregullohet një herë e mirë.

Ndër hapat që ne besojmë se duhen ndermarrë është zbritja e TVSH-se sipas përqindjes së caktuar që do t’u mundësonte kompanive private të zbresin edhe çmimet e biletave”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se është mirë të parashihen subvencione të ndryshme për kompanitë e transportit ndërurban në mënyrë që të imponohet zbritja e çmimit të biletave për studentët dhe kategoritë e tjera.

Pas shfuqizimit të këtij vendimi nga Ministria e Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ne jemi duke përgatitur një kërkesë ku do të paraqesim edhe disa propozime tona për këtë çështje”, ka bërë të ditur i pari i këtij parlamenti.

Shpjegimi nga ana e shoqatës së Transportuesve Rrugorë të Udhëtarëve

Unë po e konfrimoj që studentat pagujnë më pak”, kanë qenë fjalët përmes përgjigjjes telefonike që ka dhënë Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportuesve Rrugorë të Udhëtarëve për KALLXO.com.

I pyetur në lidhje me disa prej rasteve kur studentët nuk kanë pasur dallim në pagesë nga udhëtarët e tjerë, Kurtishaj është përgjigjur se ky lëshim mund të ketë ndodhur në fillim të javës deri sa jo të gjitha kompanitë e transportit kanë qenë të informuara për shfuqizimin e vendimit dhe marrëveshjen e arritur.

Ata mujin mu kon nja dy, mujin mu kon ditën e hanë deri sa realisht është konfirmu prej gjithë operatorëve kjo, por kjo nuk është e vërtetë, edhe unë po thom 100% që nuk është e vërtetë”, ka qenë përgjigjja e Kurtishajt i cili ka shtuar se: “…me sa unë kam informata që jam marrë me këtë punë, me sa unë kam informacione studentët pagujnë ma lirë çdokund në të gjitha destinacionet”.