Tërhiqet Durmishi, hiqet vendimi për përgjysmim të çmimeve të biletave për autobusë

Rritja e çmimit të biletave të autobusit ka bërë që sot zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve të mbajnë një takim dhe të diskutojnë lidhur me këtë çështje.

Pas këtij takimi, në një konferencë për media është bërë e ditur se është vendosur që çmimi i biletave të autobusit të rikthehet ashtu siç ka qenë para se të fillonte rritja e çmimit të naftës.

Sipas zëvendësministrit çmimi i biletave do të mbetët i njëjtë edhe nëse në të ardhmen do të ketë rritje të çmimit të naftës dhe se vendimi për përgjysmimin e çmimit të biletave për disa kategori qytetarësh do të shfuqizohet.

“Së bashku me shoqatën kemi ardh në një dakordim. Duke pasur parasysh se ka fillu rënja e çmimit të naftës, çmimet të kthehen në gjendjen që kanë qenë më herët. Kryetari dhe përfaqësuesit e tjerë të shoqatës nga regjione të ndryshme janë zotu që t’i kthejnë çmimet siç kanë qenë dhe nuk do t’i rrisin çmimet edhe nëse eventualisht do të ketë rritje të çmimit të naftës”, ka thënë Durmishi.

Për vendimin e MMMPHI-së Shoqata e Transportit Rrugor kishte dorëzuar padi në Gjykatë duke e cilësuar si shkelje ligjore vendimin e Ministrisë.

Durmishi ka thënë se padia e dorëzuar do të dorëhiqet nga ana e Shoqatës.

Këta e ka konfirmuar edhe avokati i shoqatës, Florim Shefqeti.

“Ne do të bëjmë tërheqjen e padisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetari shoqatës, Ruzhdi Kurtishaj ka falënderuar zëvendësministrin për shfuqizimin e vendimit dhe përkushtimin e tij në këtë çështje.

“Ju falënderoj shumë për shfuqizimin e vendimit dhe për përkushtimin”, iu është drejtuar Kurtishaj Durmishit.

DOKUMENT – Qeveria merr vendim ta përgjysmojë biletën e autobusit për studentët dhe disa kategori tjera

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve dorëzon padi kundër vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës