LDK do të propozojë debat parlamentar për rritjen e çmimit të naftës
Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar sot në lidhje me rritjen e çmimeve të derivateve në Kosovë.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se do të kërkojnë në Kuvendin e Kosovës debat parlamentar për uljen e akcizës dhe të TVSH-së.
“Qeveria e Kosovës po pasuron vetveten duke varfëruar qytetarët. Grupi parlamentar i LDK-së do të kërkojmë në Kuvendin e Kosovës të ketë një debat parlamentar ku do të propozojmë një rezolutë për uljen e akcizën në derivate dhe uljen e TVSH-së në produkte esenciale deri në tejkalimin e krizës”, ka deklaruar Mustafa.
Ai gjithashtu ka thënë se si grup parlamentar kanë propozuar propozime konkrete për daljen nga kriza por që sipas Mustafës, u injoruan nga Qeveria.
“Që nga dita e parë e krizës energjetike dhe e inflacionit si LDK kemi dhënë propozime konkrete për dalje nga kriza. Propozimet nuk u përfillën dhe u morën vendime jo ligjore duke krijuar kaos në sektorin e energjisë dhe pa barazi në faturime të energjisë. Qeveria nuk morën parasysh asnjë nga këto propozime por vetëm rrudhën supet duke parë problemin me sy po duke mos marrë asnjë veprim”, ka thënë Mustafa.
“Çmimi i litrës së naftës po shkon deri në 1.90 cent, nëse për një periudhë të caktuar do të largoheshin tërësisht akciza dhe TVSH do të binin çmimet deri në 1.20 cent”, shtoi ai.
Ndërkaq zëdhënësja e LDK-së Sibel Halimi kritikoi Qeverinë e Kosovës të cilët sipas saj po e luajnë rolin e spektatorit.
“Çmimet e naftës po rriten e rrjedhimisht e rritja e çmimeve të produkteve bazike në Kosovë. Qeveria po e luan rolit të spektatorit vetëm po vëzhgon nga lartë se si qytetarët e vetëm po ballafaqohen me krizën”, u shpreh Halimi.
Ajo shtoi se propozimet u injoruan nga Qeveria nën arsyetimin që siç tha Halimi “kriza është e njëtë edhe në Evropë”
“Propozuam që të reduktohet TVSH-ja dhe akciza në naftë. U injoruam nga Qeveria me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. Qeveria e Kosovës është e vetmja që nuk ka marrë asnjë masë të vetme”, tha Halimi.
KALLXO.com ka raportuar për ngritjen që është bërë përsëri në çmimet e derivateve këto ditë, ku çmimi i naftës dje ishte rritur nga 1.79 euro deri në 1.84 euro.