Shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, në Prishtinë - Foto: Atdhe Mulla

"Thirre Klintonin": Fëmijët, rrugët dhe bizneset me emra që nderojnë heronjtë e Kosovës

Autoshkolla, dyqane rrobash, artistë të tatuazheve, biznese që merren me shitjen e veturave dhe që kryejnë shërbime hidraulike. Të gjitha këto biznese të shpërndara nëpër qytetet e Kosovës mbajnë emrat e personaliteteve që 25 vjet më parë kishin pozita të larta politike.

Viti 1999 kishte sjellë shumë të papritura për Sami Begollin, që në atë kohë ishte 24 vjeç.

Përshkallëzimi i dhunës në luftën e fundit në Kosovë e kishte detyruar atë ta linte shtëpinë e tij si refugjat.

Fillimisht në Bllacë për një javë, pastaj në Stankovec të Maqedonisë së sotme të Veriut për një muaj, e më vonë në Spanjë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Samiu e hiqte mallin për shtëpinë me shpresën se do të kthehej atje së shpejti.

“Ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme kur jemi kthyer. S’na shkonte në mendje as të hamë e as të pimë nga gëzimi që jemi kthyer”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë muajve të tij si refugjat, Samiu gjente ngushëllim në një fjali që thotë se e kishte dëgjuar nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker.

“Herën tjetër do të kthehem e do të hyj pa pasaportë”, mban mend Begolli ta ketë dëgjuar Walkerin të ketë thënë atëkohë, pasi ishte shpallur person i padëshirueshëm nga ish-Republika Federale e Jugosllavisë.

Për këtë arsye, sapo u kthye në Kosovë në shtator të vitit 1999, familja e tij hapi një punëtori e dyqan mobiliesh dhe e emëroi atë për nder të Walkerit.

Ky biznes në Çagllavicë, afër Prishtinës, mban ende emrin e tij.

“Arsyeja përse kemi vendosur për emrin e tij, është për shkak se ai ishte arsyeja për t’u përshpejtuar procesi i intervenimit të NATO-s. Unë e kam thënë disa herë që ndoshta, po të mos ishte ai, do të na e kishin bërë më keq”, thotë Samiu.

Walker luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Walker e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit.

Pas kësaj masakre, në mars të atij viti, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh sulme, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar mes NATO-s dhe zyrtarëve të atëhershëm ushtarakë jugosllavë, forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve e personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Kjo bëri që personat, të cilët atëkohë ishin më të zëshëm në kërkesën për përfundimin e luftës në Kosovë, të merrnin mirënjohje nga qytetarët e Kosovës për kontributin e tyre.

Në këtë listë hyjnë personalitete që 25 vjet më parë mbanin pozita të larta politike, si: ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton; ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair; ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright; ish-shefi ushtarak i NATO-s, Wesley Clark; e ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Autoshkolla, dyqane rrobash, artistë të tatuazheve, biznese që merren me shitjen e veturave dhe që kryejnë shërbime hidraulike. Të gjitha këto biznese të shpërndara nëpër qytetet e Kosovës mbajnë emrat e këtyre personaliteteve.

Në mesin e tyre është edhe kompania “Klintoni SHPK” në Klinë.

Edhe pse e drejtuar që nga viti 1999 nga Shkëlqim Bojaj, të gjithë i referohen asaj me emër tjetër.

“Me emër s’na thërret askush. Të gjithë thonë ‘ata Klintonët, ata Klintonët’. Për shembull, dikujt i dëmtohen gypat e ujit, krejt thonë ‘merre Klintonin’”, tregon Shkëlqimi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse biznesi ishte emëruar fillimisht nga babai i tij, Shkëlqimi as nuk e ka menduar ndonjëherë t’ia ndryshojë emrin.

Kjo pasi që ndërhyrja e NATO-s në të 99-tën e kishte ndryshuar plotësisht jetën e Shkëlqimit, që në atë kohë ishte ende gjashtëvjeçar.

Atëherë, familja e tij ishte ndarë në gjysmë: babai kishte mbetur i plagosur në Kosovë, ndërsa ai dhe pjesa tjetër e familjes kishin shkuar si refugjatë në Shqipëri. Vetëm pas çlirimit të Kosovës, familja arriti të bashkohej sërish.

“Ishte moment shumë i lumtur. Pastaj, babai e ka dashur gjithmonë Clintonin”, thotë Shkëlqimi.

Në Prishtinë, në sheshin e emëruar për nder të Clintonit ndodhet edhe një shtatore e tij, ndërsa aty afër është hapur edhe një dyqan rrobash i emëruar Hillary, për nder të Zonjës së Parë të atëhershme të SHBA-së, Hillary Clinton.

Në kryeqytet, para pesë vjetësh ishte zbuluar edhe një shtatore e Albrightit, ndërsa një vit më vonë, Prishtinës iu shtua edhe shtatorja e ish-senatorit amerikan, Bob Dole.

Në Ferizaj, ndërkaq, rrugët e emëruara për nder të Clarkut dhe Sheas çojnë drejt qendrës së qytetit, ku ndodhet edhe sheshi “Tony Blair”. Aty së shpejti pritet të vendoset edhe një shtatore e tij.

Por, përveç shtatoreve, rrugëve e emërimit të bizneseve, kontributi i këtyre personave është shënuar edhe në një mënyrë tjetër në Kosovë: duke emëruar fëmijët për nder të tyre.

Në vizitën e fundit të Clintonit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ai u befasua nga një numër i madh i fëmijëve nga Kosova që mbanin emrin e tij.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë janë gjithsej 31 djem me emrin Klinton, një me emrin Bill, tri vajza me emrin Hillari, katër djem me emrin Tonibler dhe dy djem me emrin Klark./REL