Foto: Ilustrim

Therja me thikë në Istog, Spitali i Pejës thotë se pacienti është pranuar me 8 plagë

Një grua në Istog ka raportuar në Policinë e Kosovës se djali i saj është therur me thikë nga persona të panjohur.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton se mbrëmë rreth orës 18:20 kanë pranuar një pacient, i therur me mjete të mprehta.

Sipas njoftimit, pacienti ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ka pasur tetë plagë: në kokë, ekstremitete dhe pjesë të tjera të trupit.

“Ekipi kujdestar i prirë nga Kirugu Dr.Rifat Dreshaj ka trajtuar rastin duke bërë qepjen dhe gjithë trajtimin e nevojshëm të plagëve që fatmirësisht kanë qenë sipërfaqësore si dhe trajtimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësorë të pacientit”- thuhet në njoftim.

Spitali i Pejës bën të ditur se pacienti aktualisht është i shtrirë në Repartin e Kirurgjisë, ku gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ditët në vijim pritet edhe lirimi i tij.

Sipas raportit Policor, në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona të dyshuar të cilët pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.