Thaçi: Kërkova të raportoj në Kuvend për shkak të transparencës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar dështimin e raportimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi tha se ka kërkuar që të raportojë, pasi sipas tij do të bënte një raportim më të detajuar para deputetëve.

“Kam kërkuar që të raportoj, siç kam raportuar si kryeministër gjithmonë në Kuvend, pas çdo takimi në Bruksel. Është e drejtë kushtetuese e Presidentit. Duhet të jemi transparentë, kurse s’ka transparencë më të madhe sesa të shkosh në parlament para deputetëve”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit shtoi se nuk ka kërkuar raportim urgjent, pasi sipas tij nuk është situata urgjente.

“Nuk kam kërkuar ndonjë raportim urgjent sepse gjendja nuk është urgjente, por kam bërë kërkesë që raportimi të jetë me i gjerë më i thukët dhe më i detajuar dhe krejt transparent”, tha ai.

Thaçi shtoi se është në kontakt me të gjithë liderët e partive dhe do t’i thërrasë në një takim.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë liderët e partive politike, dhe dua që t’i takoj një nga një që të kemi të kemi një proces sa më gjithëpërfshirës”, theksoi ai.

“Kalkulimet e brendshme politike duhet të tejkalohen në favor të interesave vendore”, shtoi ai.

Thaçi kishte bërë kërkesë për të raportuar në Kuvend të martën.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ia ka kthyer letrën presidentin Thaçi, ku sipas saj , deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të angazhuar në aktivitete të tjera gjatë ditës së sotme, andaj nuk është mundësuar raportimi i Thaçit.

Osmani e ka njoftuar se me 9 mars, do të ketë një mbledhje të kryesisë së Kuvendit, ku aty do të diskutohet për kërkesën e Thaçit.

Pas dështimit për të raportuar në Kuvend, Thaçi thërret konferencë për shtyp

www.kallxo.com