Pas dështimit për të raportuar në Kuvend, Thaçi thërret konferencë për shtyp

Presidenti i vendit Hashim Thaçi do të mbajë një konferencë për media sot në orën 16:00 në kabinetin e tij.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Presidentit përmes një njoftimi për media.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot (4 mars 2020), në orën 16:00, do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

Thirrja e konferencës vjen pas dështimit për të raportuar në Kuvend Thaçi, ndonëse kishte bërë kërkesë në Kuvend për një gjë të tillë të martën.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ia ka kthyer letrën presidentin Thaçi, i cili gjatë ditës së djeshme i kërkoi Kuvendit të organizojë një seancë plenare ku ai do t’i raportonte Kuvendit të Kosovës për takimin e tij të para disa disa ditëve në Uashington me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e Këshilltarit të Presidentit Trump për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe emisarit amerikan për dialogun Kosovë- Serbi, ambasadorit Richard Grenell.

Sipas Osmanit, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të angazhuar në aktivitete të tjera gjatë ditës së sotme, andaj nuk është mundësuar raportimi i Thaçit.

Osmani e ka njoftuar se me 9 mars, do të ketë një mbledhje të kryesisë së Kuvendit, ku aty do të diskutohet për kërkesën e Thaçit.