Thaçi i ofron ndihmë ushtarake Shqipërisë pas goditjes nga tërmetet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i shqetësuar nga tërmetet që tronditën sot Shqipërinë.

Thaçi ka shkruar së përmes bisedave telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ka shprehur solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës. Ai thotë ua ka ofruar ndihmë të pakursyer për tejkalimin e situatës.

“Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi në rrjetin social “Facebook”, të shtunën.

Kallxo.com ka raportuar sot se Shqipëria është tronditur nga tërmetet e fuqishme. Sipas mediumit shqiptar, Oranews, Tirana dhe Durrësi kanë pësuar dëme materiale.

Burime nga spitali i Traumës për Ora News bëjnë me dije se 50 persona janë paraqitur me lëndime nga tërmeti.

Mes tyre raportohet se është dhe një fëmijë.

Epiqendra dyshohet se është në Durrës dhe me magnitudë 5.8 shkallë.

Tërmeti në Shqipëri, ndër 50 të lënduarit edhe një fëmijë