Presidentët hashim Thaçi e Ilir Meta gjatë takimit në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Thaçi i dërgon telegram ngushëllimi Presidentit Meta

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij nga Shqipëria, Ilir Meta, për viktimat e tërmetit në Shqipëri.

Zyra e Presidentit përmes një komunikate për media bën të ditur se në këtë telegram ngushëllimi, presidenti Thaçi ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen me vëllezërit dhe motrat matanë kufirit.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, juve, vëllezërve dhe motrave shqiptare, si dhe familjarëve të viktimave të këtij tërmeti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe shpreh gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet”, ka thënë presidenti.

Po ashtu, sipas njoftimit, Thaçi e ka njoftuar Metën edhe për dërgimin e njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përkrahje të popullsisë së zonave të dëmtuara nga tërmeti.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë, ku si pasojë 7 persona kanë vdekur dhe 135 të tjerë janë lënduar.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.

KALLXO.com më parë raportoi për ndasitë që liderët e dy shteteve kanë treguar edhe në kohë fatkeqësie.

Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri