Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit

Tetë rastë të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës.

Rastet e dhunës në familje janë regjistruar në Prishtinë, Podujevë, Prizren, Gjilan, Graqanicë, Gjakovë dhe dy raste në Pejë.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht gruan më të cilën bashkëjetonte. Viktima shtetase e Rumanisë, ka pranuar tretman mjekësor, ka njoftuar policia. Ndërsa, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Podujevë dje rreth orës 13:30 ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Prizren një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Sipas Policisë, i dyshuari ka të meta psikike. Viktimës dhe të dyshuarit u është ofruar ndihma mjekësore. Me urdhër të prokurorit kujdestar dhe në konsultim me psikiatrin, i dyshuari është dërguar në Klinikën e Forenzikës Psikiatrike.

Policia në Gjilan ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 11:00. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Në Graçanicë janë arrestuar dy të dyshuar, një grua dhe një burrë shtetas të Serbisë, pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale që kishin pasur, janë përleshur fizikisht në mes veti. Sipas Policisë, të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore, atyre u është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Në Pejë një grua ka raportuar në Polici se edhe pse ishin ndarë me marrëveshje me bashkëshortin e saj, të dyshuarin në këtë rast, i njëjti ka shkuar në lokacionin e viktimës dhe e ka kanosur me mesazh. I dyshuari është arrestuar dje dhe vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia.

Në Pejë një tjetër burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike duke përdorur fjalë fyese ndaj bashkëshortes së tij. Policia ka njoftuar se viktima është dërguar në strehimore së bashku me një fëmijë të moshës dy vjeçare. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Ndërsa në Gjakovë mbrëmë janë arrestuar tre burra pasi që njëri prej të dyshuarve kishte sulmuar vëllain e tij dhe më pas kishte ndërhyrë edhe prindi i tyre pasi që i dyshuari kishte tentuar që ta lëndojë veten me një thikë të kuzhinës.

Sipas Policisë, të dyshuarit i është dhënë ndihmë mjekësore pasi që i njëjti ishte përdorues i substancave narkotike. Dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregull.