Ilustrim

Tentim vrasja në Gjakovë, i dyshuari është oficer doganor

Një rast i tentim vrasje ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në Gjakovë, në një punëtori në rrugën “Gaspër Karaçi”.

KALLXO.com merr vesh se autori i dyshuar i këtij rasti është oficeri doganor Sh.V.

Pas një fjalosjeje, i dyshuari ka shkuar e ka marrë armën në veturë dhe më pas ka shtënë në drejtim të derës së punëtorisë së të dëmtuarit K.Ll., duke menduar se ai është brenda.

Me të marrë informacionin, Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me viktimën.

Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Nysret Xhurkaj, ka treguar për KALLXO.com se i dyshuari është identifikuar dhe pas kërkimit ai është arrestuar.

Prokurori kujdestar ka marrë vendim mbi ndalimin policor të të dyshuarit për 48 orë.

Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plot të rastit.