Tensionet në veri, propozimet e Kosovës në kuadër të WBIF nuk u dorëzuan për shqyrtim në bord

Propozimet e dërguara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë për KALLXO.com se, kjo pasoi për shkak se Bashkimi Evropian ka vendosur të zbatojë një sërë masash për shkak se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të nevojshëm për të shtensionim të situatës në veri.

Zëdhënësi thekson se masat janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për shtensionim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. BE-ja ka vendosur të zbatojë një sërë masash duke qenë se Kosova fatkeqësisht nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën në veri. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për shtensionim të marra nga kryeministri Kurti” – ka thënë zëdhënësi për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian më tej ka shpjeguar se nga këto grante janë përjashtuar edhe Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Kjo sepse projektet që ka prezantuar shteti malazez, u vlerësuan si të parakohshëm për financim ose të papërshtatshëm për sa i përket përshtatshmërisë për financim nga WBIF.

Kurse një nga projektet e paraqitura nga Bosnja dhe Hercegovina fushën e mjedisit të vendosur në Republika Srpska, ishte gjithashtu i papërshtatshëm në këtë thirrje për propozime.

“Mali i Zi paraqiti pesë projekte investimi në fushat e energjisë, mjedisit, sektorëve social dhe të transportit, të cilët u vlerësuan si të parakohshëm për financim ose të papërshtatshëm për sa i përket përshtatshmërisë për financim nga WBIF. Një nga projektet e paraqitura nga Bosnja dhe Hercegovina, në fushën e mjedisit të vendosur në Republika Srpska, ishte gjithashtu i papërshtatshëm në këtë thirrje për propozime. Financimi për dy projekte të mëparshme përgjatë Korridorit Vc të vendosur në territorin në RS mbetet i pezulluar për shkak të bllokimit politik të institucioneve shtetërore të BiH” – ka shpjeguar zëdhënësi.

Më tej, zëdhënësi sqaron se vetëm ato projekte me prioritet, strategjikisht të rëndësishme dhe të kompletuara, propozohen nga Komisioni Evropian për miratim në Bordin Operativ të WBIF, që përfshin edhe mes pjesëtarë të tij, shtete anëtare të BE-së.

“Projektet përzgjidhen në bazë të kompletimit teknik dhe financiar dhe nëse i përgjigjen prioriteteve të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së prej 30 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor”- ka deklaruar zyrtari i Komisionit.

Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mos marrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në Veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor”- ka thënë zëdhënësi për BIRN.

Zëdhënësi thotë se për këto masa, BE ka njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor, teksa shton se masat janë plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Më 26 qershor, pas takimit me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se shtetet anëtare të BE-së do të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shtensiohet situata.

“Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Ata kanë thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”- ka deklaruar Borrell.

“Masat do të shohim, ato janë politike dhe financiare. Shtetet anëtare mund të konsiderojnë masat politikë për të limituar kontaktet politike, e po ashtu masat financiare, varësisht nga sjellja e tyre”- shtoi ai.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.

BE vendos disa masa ndaj Kosovës: Kemi njoftuar edhe Qeverinë