Tensionet në Kuvend, pjesëtarë të Policisë qëndrojnë në gatishmëri në oborr të Kuvendit

Zyrtarë të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në hyrje të sallës së Kuvendit të Kosovës, aty ku sot pati përleshje në mes deputetëve të vendit.

Një numër i këtyre zyrtarëve policorë i takojnë mbrojtjes së afërt, e disa të tjerë janë edhe policë në rroba civile.

Me fillim të seancës për të dytën herë, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte kërkuar që të largoheshin nga salla e kuvendit zyrtarët policorë, disa nga ta nga mbrojtja e afërt.

Mirëpo, pas tensionimit të situatës, disa nga zyrtarët e PK-së u futën prapë në sallë, përderisa të tjerë në rroba civile po qëndrojnë në afërsi të hyrjes së sallës.

Policë në uniformë janë parë jashtë Kuvendit të Kosovës, në hyrjet kryesore të kësaj ndërtese. Disa nga këta policë që shihen jashtë objektit të kuvendit i takojnë forcave të rendit e disa të tjerë njësisë së reagimit të shpejtë.

Ata janë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në rast se eskalon situata brenda në sallën ku mbahen seancat plenare.