Tensione gjatë gjykimit të Pal Lekajt për keqpërdorim me subvencione

Seanca ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe disa të akuzuarve të tjerë për subvencionet e shpërndara në Gjakovë, u mbajt sot me tensione mes palëvë.

I pari që nisi të jep mbrojtjen e tij ishte i akuzuari Gani Rama.

Gjatë marrjes në pyetje, kishte tensione e replika mes palëve në procedurë, ku prokurori u kundërshtua disa herë nga mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj, i cili e këshilloi klientin e tij që mos t’i përgjigjet në pyetjet e prokurorit.

Sipas avokatit Dodaj, prokurori po kërkon që klienti i tij të përgjigjet siç don ai.

Ndërsa, prokurori Atdhe Dema tha se nëse do t’i ndërhyhet në marrjen në pyetje, do të detyrohet ta lëshojë sallën e gjykimit.

Pal Lekaj për kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit të subvencioneve dhe shmangies nga tatimi.

Po ashtu, Rama po akuzohet për shpërndarjen e subvencioneve në vlerë 218 mijë euro

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat e përcaktuara.

Sipas Prokurorisë, shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro.

Ky rast është shënjestruar për liberalizim të vizave.